Kombet e Bashkuara kaluan sot rezolutën që i kërkon Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të japë një opinion mbi pasojat ligjore të pushtimit të territoreve palestineze nga Izraeli.
Asembleja e përgjithshme votoi 87 ndaj 26, me 53 abstenime pro rezolutës, ku vendet perëndimore ishin të ndara, por me mbështetjen e plotë të botës islame, duke përfshirë dhe disa vende që kanë normalizuar marrëdhëniet me Izraelin.
Rusia e Kina votuan në favor.
Izraeli, SHBA dhe 24 vendeve të tjera – mes të cilave Britania e Gjermania, votuan kundër, ndërsa Franca ishte mes 53 vendeve që abstenuan.
Gjykata ndërkombëtare e Hagës është enti më i lartë gjykues i OKB për konfliktet mes vëndeve. Vendimet e saj janë detyruese apo ajo nuk ka fuqi për t’i vënë në zbatim.
Liderët palestinezë miratuan sot votën, teksa zyrtari Hussein al-Sheikh e quajti “një fitore të diplomacisë palestineze”.
“Ka ardhur koha që Izraeli të bëhet një shtet që zbaton ligjet, dhe të japë llogari për krimet kundër popullit tonë”, tha Nabil Abu Rudeineh, zëdhënës i presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas.
Zhvillimi vjen disa ditë pasi kryeministri izraelit me mandat të ri Bejamin Netaniahu u zotua për zgjerim të kolonive ilegale izraelite në tokat e pushtuara palestineze.
Asembleja e Përgjithshme e OKB i ka kërkuar gjykatës të japë opinionin për pasojat ligjore të “pushtimit, aneksimeve dhe kolonive të reja izraelite, dhe masa të tjera me qëllim ndryshimin e demografisë dhe statusit të Qytetit të Shenjtë të Jeruzalem, me anë të masave dhe legjislacionit diskriminues ndaj palestinezëve”.
Rezoluta e OKB kërkon gjithashtu këshillimin e Gjykatës për politikat dhe praktikat “që prekin statusin e pushtimit”, dhe pasojat e kësaj për vendet e tjera.
Herën e fundit që Gjykata ka dhënë një opinion të tillë për pushtimin e Izraelit ishte në vitin 2004, kur vendosi se muri i Izraelit në tokat e pushtuara në Bregun Perëndimor dhe në Jeruzalemin Lindor, është i jashtëligjshëm.
Izraeli refuzoi asokohe vendimin duke e quajtur “të njëanshëm”.//Anadolu/AlJaseera//
Top Channel