Qindra qytetarë presin drejtësi për paditë e marrëdhënieve të punës! Shteti ofron ndërmjetësim dhe pajtim

30/12/2022 08:56

Nga Anila Hoxha

12.484 shtetas kanë ngritur padi civile dhe administrative në të gjitha shkallët e gjyqësorit me pretendimin se u larguan pa të drejtë nga puna dhe se nuk u respektua Kodi i Punës. Kjo shifër përfshin vetëm proceset që po mbahen në gjykatat e shkallës së parë dhe në apele, ndërsa nuk dihet se sa është numri i shtetasve që presin në Gjykatën e Lartë, e prekur prej kohësh nga backlogu.

A. K. është mes atyre shtetasve që po përballet me ish punëdhënësin prej pothuajse nëntë vjet dhe maratona e proceseve gjyqësore nuk ka marrë fund. Ai e hapi padinë nga mbyllja e një marrëdhënieje pune të nisur në datën 27 maj 2013, kur shoqëria ku ishte i punësuar emërtohej “Korporata Elektroenergjitike Shqiptare” sh.a.

Në muajin nëntor, Gjykata e Lartë vendosi që paditësi të rigjykohet në Gjykatën e Apelit duke qenë se kolegji gjeti shkelje proceduriale dhe ndaj kërkoi të konsideroheshin si prova libreza e punës dhe listë pagesat. Si një drejtor i auditit të brendshëm, paditësi u mbajt në detyrë vetëm 7 muaj, ndonëse, një kontratë formale pune përcaktonte kushtet specifike pa kohëzgjatje të përcaktuar, me kohë të plotë punë (8 orë në ditë) dhe me pagë bruto së fundmi 114, 500 (njëqind e katërmbëdhjetë mijë e pesëqind) lekë në muaj.

Dosja e tij e dorëzuar në gjykatë tregon se muajin nëntor 2013, A. K u njoftua nga punëdhënësi për zgjidhje të kontratës së punës dhe në këtë pikë, ai nisi kundërshtimet gjyqësore me pretendimin se kontrata u zgjidh në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar. Në vitin 2014, gjykata e Tiranës e rrëzoi padinë e ish drejtorit me arsyetimin se kontrata e lidhur midis palëve ishte individuale dhe se punëdhënësi e mori këtë vendim për shkak të riorganizimit të organikës së shoqërisë. Të njëjtën humbje, paditësi mori edhe në gjykatën e Apelit, ndonëse paditësi nga ana e tij këmbëngul se ‘riorganizimi i organikës së shoqërisë’ nuk provohej.

Nga 2015, cështja e tij u mbajt në pritje ashtu si dhjetëra dosje të tjera derisa Gjykata e Lartë deklaroi se të dyja gjykatat dhe e shkallës së parë edhe ajo e apelit nuk kishin kryer një analizë të provave të marra. Kolegji administrativ sygjeron administrimin si provë të librezës së punës të ish drejtorit e bashkë me të edhe pagesat e punonjësve të palës së paditur për muajt tetor dhe nëntor 2013 . Por i rikthyer në apel , ish drejtori do të presë për një kohë të gjatë mbasi vetëm në gjykatën e apelit të kryeqytetit që ka cilësinë e juridiksionit të përgjithshëm me të njëjtin objekt atë të marrëdhënieve të punës janë në pritje 2030 shtetas nga një total prej 20 mijë dosje penale dhe civile.

“Dalëngadalë po i afrohem moshës së pensionit dhe kam frikë se nuk do marr drejtësi në kohë”, shprehet Mimoza G., një edukatore, e cila u hoq nga puna, nga një kopësht, në krye të 15 viteve. Ajo nuk ka menduar asnjë opsion tjetër përveç gjykatës, ndonëse ekzistojnë mekanizma ligjorë në zyrat shtetërore të pajtimit që mund të vihen në lëvizje për një konflikt kolektiv.

“Isha vetëm unë që u largova nga puna kështu që s’pata mundësi të ishim të gjithë bashkë”, argumenton 52-vjeçarja.
Për konfliktet e punës, qytetarët përballen gjyqësisht me punëdhënësin kryesisht për largim të padrejtë nga puna, masë disiplinore dhe diskriminim . Ndërkohë që nuk egzistojnë paditë për shkelje të tjera të Kodit të Punës si; mohim i lejes vjetore dhe pagim i orëve shtesë për të cilat punëmarrësi kërkon zgjidhje nga Inspektoriati i Punës.

Në konfliktet kolektive për marrëdhëniet e punës, shteti shqiptar ofron si zgjidhje ndërmjetësimin dhe pajtimin që garantohet përmes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Një mekanizëm i tillë ndihmon më së shumti qytetarët që po përballen me radhë të gjata në gjyqësor. Vetëm në Gjykatën e Lartë aktualisht numërohet një stok prej 29.674 me dosje të pa gjykuara ende. Sokol Sadushi, në cilësinë e nënkryetarit të kësaj gjykate tha se qytetarët presin drejtësi dhe se ata meritojnë vëmendjen e duhur pasi secili prej tyre ka një histori njerëzore të mishëruar në cështje gjyqësore. Teksa pranohet se gjyqtarët nuk mund të jenë vazhdimisht nën presionin e çështjeve gjyqësore.

Duke i ndarë sipas shkallëve, të dhënat zyrtare të siguruara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor rezulton se vetëm në apelin administrativ vazhdojnë të jenë në pritje të gjykimit 1682 qytetarë që kanë ngritur padi me objekt marrëdhënien e punës , kurse 408 të tjerë kanë dorëzuar padi në gjykatat administrative të shkallës së Parë në Tiranë, Korçë, Shkodër, Durrës, Gjirokastër dhe Vlorë. 6571 të tjerë të larguar nga puna dhe që konsiderojnë se u shkel kontrata numërohen në gjykatat civile të apeleve, juridiksioni i përgjithshëm dhe 1793 kanë ngritur padi gjyqësore dhe presin drejtësinë nga gjykatat e shkallëve të para të të gjithë vendit.

E ke menduar ndërmjetësimin?

Me një drejtori të emërtuar Drejtoria e Politikave të Punësimit dhe Formimit Profesional, pranë Ministrisë së Financave po synohet që qytetarëve t’u ofrohet një zgjidhje e shpejtë që përmes ndërmjetësimit dhe pajtimit, e mbyll konfliktin brenda dhjetë ditësh dhe nuk ka asnjë kosto financiare. Dorina Nika kordinatore e projektit “Qasje për drejtësi për mosmarrëveshjet përmes ndërmjetësimit dhe pajtimit“ që është një projekt i Organizatës Ndërkombëtare të Punës ( ILO ), rekomandon zgjidhjen jashtë gjyqësore të konflikteve në punë.

“Ndërmjetësimi dhe Pajtimi janë dy fazat e procedurës së zgjidhjes alternative jashtëgjyqësore të konflikteve kolektive në punë që i ndihmon palët të gjejnë zgjidhje të pranueshme dhe me mirëkuptim për konfliktet kolektive në një kohë të shkurtër dhe pa kosto. Kjo procedurë parashikohet në Kodin e Punës. Në fushën e ndërmjetësimit dhe pajtimit që ofrohen falas nga shteti përfshihen konfliktet kolektive që mund të lindin gjatë bisedimeve për lidhjen e kontratave kolektive; për ripërtëritjen ose ndryshimin e kontratës kolektive; për zbatimin e kontratës kolektive të punës; për të drejtën për t’u organizuar dhe për të krijuar sindikatë; rastet e kundërshtimit të përfaqësueshmërisë së organizatës sindikale e të tjerë” thekson zonja Nika.

Duke kujtuar se kjo mundësi konsensuale vihet në lëvizje përmes një kërkese në Ministrinë e Financave, znj.Nika shton se ndërmjetësimi është faza e parë e zgjidhjes alternative jashtëgjyqësore në një konflikt kolektiv pune, me anë të një personi të tretë, të paanshëm (ndërmjetësit shtetëror të Rrjetit Shtetëror të Ndërmjetësimit), që ndihmon dhe lehtëson palët për të arritur një zgjidhje të pranueshme të konfliktit me mirëkuptim. Mbas kësaj, qytetari dhe punëdhënësi shkon në fazën e dytë që është pajtimi, i cili aplikohet në rast se konflikti nuk është zgjidhur në fazën e parë.

“Pajtimi kryhet nga zyrat shtetërore të pajtimit, të cilat veprojnë në mënyrë kolegjiale për të ndihmuar zgjidhjen e konfliktit duke rekomanduar një zgjidhje të pranueshme për palët. Në këtë mënyrë jepet një mundësi e dytë për të zgjidhur konfliktin. Secila fazë zgjat deri në 10 ditë në mënyrë që konflikti të zgjidhet brenda një kohe të shkurtër dhe është pa pagesë. Me marrëveshje midis dy palëve procesi mund të zgjatet edhe 10 ditë të tjera” shpjegon kordinatorja Nika.

Si një zgjidhje eficente, ndërmjetësimi realizohet nga ndërmjetësit e Rrjetit Shtetëror të Ndërmjetësimit të krijuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, që ka në përbërje ndërmjetës në nivel qëndror dhe qarku. Edhe zyrat shtetërore të Pajtimit janë organe kolegjiale trepalëshe dhe përfshijnë në përbërjen e tyre dhe përfaqësues të organizatave sindikale dhe organizatave të punëdhënësve. “Procedura e ndërmjetësimit dhe pajtimit është e detyrueshme nëse sindikata vendos të kalojë në grevë. Në këtë rast ndërmjetësimi dhe pajtimi është kusht për ligjshmërinë e grevës” nënvizon znj.Nika.

Por sindikalisti, Kol Nikollaj thekson se zgjidhja e konfliktit me konsensus, e konflikteve të mosmarrëveshjeve në punë, nuk janë vetëm cështje të ligjit, por më tepër edhe çështje të kulturës.

“Në gjykatë kemi një palë fituese dhe një palë humbëse, kurse këtu fitojnë të gjithë. Gjithë problemi është që në ndërmjetësim duhet të hyjnë edhe konfliktet individuale. Ne sindikatat kemi qenë të pamundura që të ndikojmë që të përfshihen të gjitha konfliktet. Ne po përpiqemi të hapim diapazonin dhe në ndërmjetësimin shtetëror të përfshihen edhe konfliktet individuale të punës dhe të zgjidhen paqësisht” deklaron kreu i Konfederatës së Sindikatave.

Ndërkohë që ekspertja ligjore, Marjana Semini, përmend standartet ndërkombëtare . “Me një inisiativë të mirë ligjore mund të kemi një ligj të posaçëm që do të rregullonte zgjidhjen e konflikteve në një platformë të re bashkëkohore” sugjeron Semini.

Top Channel