Kryeministri Edi Rama thotë se Qeveria po mbyll Pakon e Madhe në mbështetje të 1 milionë individëve, për të lehtësuar ndjeshëm daljen e familjeve shqiptare nga ky dimër i ngarkuar, duke zeruar efektin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë.

Kryeministri shpjegoi se kush janë përfituesit.

“Pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, posaçërisht nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, po edhe për punonjësit e shtetit – duke dhënë më shumë për ata që fitojnë më pak, por pa lënë askënd pa mbështetje. Pakoja e Madhe, e cila parashihet mbi 8 miliardë lekë në dorë për të gjithë individët e përfshirë, do të mbyllet brenda ditës së sotme dhe do të shpërndahet e gjitha në ditët e para të janarit”.

Top Channel ka mësuar se pensionistët do të marrin nga 8.000 lekë, pagat në shtet nën 60 mijë lekë do të marrin 20.000 lekë dhe pagat mbi 60 mijë lekë marrin 10.000 lekë. Kryeministri bëri edhe këtë koment për këtë iniciativë të qeverisë këtë fundviti.

“Kjo është qeveria e shumicës, jo e disave dhe faktet e shifrat thonë se volumi i mbështetjes financiare të atyre që fitojnë më pak apo të shtresave në nevojë, në vitet e qeverisjes sonë (pa llogaritur fondet masive të Rindërtimit pas tërmetit apo të Luftës me pandeminë) është disafish më i lartë se sa në tërë qeveritë e mëparshme të marra së bashku”.

Top Channel