120 raketa nga ajri e deti dhe dronë kamikazë/ Valë e re bombardimesh ruse në Ukrainë

29/12/2022 09:30

Më shumë se 120 raketa nga toka e deti kanë lëshuar trupat ruse në Ukrainë mëngjesin e sotëm, sulmi më i fundit ky i Moskës që shenjëstron infrastrukturën kombëtare të vendit fqinj.

Të paktën tre persona, përfshirë një vajzë 14 vjeçare, u dërguan në spital pas shpërthimeve që tronditën Kievin, pohoi kryebashkiaku i tij Vitaliy Klitschko. Sirenat e alarmit ranë në pjesë të ndryshme të Ukrainës, ndërsa për të shmangur sulmet ruse në kryeqytet u aktivizuan dhe  sistemet e mbrojtjes ajrore. Bombardime pati edhe në qytetin e dytë më të madh, Kharkiv, në Odesa e në Lviv, pranë kufirit me Poloninë.

Kreu rajonal i provincës së Odesës, Maksym Marchenko, tha se bëhej fjalë për një sulm masiv me raketa ndaj Ukrainës, forcat ajrore të së cilës thonë se vendi është mësyrë nga disa drejtime njëherazi, e se janë përdorur edhe dronë kamikazë.

Guvernatori i Mykolaivit, Vitaliy Kim, tha se pesë raketa u rrëzuan mbi Detin e Zi. Komanda e ushtrisë ukrainase North tha se dy u rrëzuan mbi rajonin Sumy, që ndodhet në kufirin me Rusinë në verilindje të vendit. Pjesë të raketave ruse që u rrëzuan dëmtuan dy ndërtesa private në lagjen Darnytskyi të Kievit, një objekt industrial dhe një shesh i lodrash.

Top Channel