Prej kohësh Bordi i Transparencës fikson çmimet e karburanteve, në kurriz të konsumatorëve shqiptarë.

Ndërkohë që pak ditë më parë Autoriteti i Konkurrencës ndëshkoi me një gjobë prej 10 milionë lekësh të reja, 4 kompani të importit të miellit, pasi prej gati 1 viti të gjitha këto se bashku, si një kartel, fiksonin çmimin e produktit në treg.

“Ne kemi një ligj sot që lufton kartelet. Pra marrëveshjet mes operatorëve të një fushe të caktuar, për të fiksuar çmimin, janë të ndaluara me ligj. Por çfarë po ndodh tek ne aktualisht? Në një vend, që është e ndaluar me ligj marrëveshja kartel, ne kemi një Bord. Ky bord bie dakord dhe fikson një çmim të lartë, p.sh. në rastin e naftës është fiksuar prej shumë ditësh çmimi 199 lekë për litër. Duke u fiksuar ky çmim, gjithë operatorët, pavarësisht se dikush mund të ketë mundësi që edhe ta uli atë, por duke qenë se të gjithë e kanë çmimin 199 lekë, atëherë të gjithë operatorët e mbajnë çmimin 199 lekë dhe në këtë mënyrë konsumatori dëmtohet, për shkak se nuk përfiton nga gara, që do të kishte në një treg me konkurrencë të pastër. Pra bordi sot shërben si një marrëveshje kartel, një gjë kjo totalisht e paligjshme. 4 kompanitë e miellit për këtë u penalizuan, pasi kishin marrëveshje kartel me njëra-tjetrën, bashkërendonin veprimtaritë e tyre në kurriz të konsumatorëve. Por pse u ngit bordi? Qeveria jonë për të mos ulur taksat, vendosi që t’u mbyllte gojën qytetarëve duke iu thënë: Ja, ngrita këtë bordin. Por kjo nuk është fare ajo që kërkuan qytetarët. Bordi u ngrit si një karamele për të gënjyer njerëzit, e ndërkohë sot që flasim, po na bën më shumë dëm.

Normalisht Bordi do duhej të ishte shkrirë. Kush janë interesat që e mbajnë dhe bëjnë të funksionojë ende ky bord, natyrisht që dihen, sepse nëpërmjet bordit mbahet një çmim i fiksuar i lartë, çmimi i fiksuar i lartë bën që qytetarët të paguajnë më shumë, e fitimet pastaj (nuk) dihet ku shkojnë, kush i ndan dhe kush i merr”- shprehet eksperti për ekonominë, Pano Soko.

Top Channel