Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, FNSH dhe RENEA kanë blinduar Fushë Kuqen këtë të hënë, ndërsa kanë ushtruar kontrolle në shtëpinë e Ervis Martinajt.

Ata kanë shkuar që në orët e para të mëngjesit me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, SPAK për kontroll në funksion të dosjes hetimore “Plumbi i artë”.

Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të këtij viti.

Zhdukja e bosit të lojërave të fatit ndodhi pas dëshmisë së bujshme të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani në kuadër të operacioni “Plumbi i Artë”, ndërsa Martinaj u shpall në kërkim nga SPAK.

Arrestimi i vrasësit me pagesë, Nuredin Dumani nxori në dritë kërcënime serioze që i kanoseshin Indrit Dokles, ish-anëtar i bandës së Durrësit. Sipas Dumanit, Ervis Martinaj i kishte premtuar 500 mijë euro nëse ai do të eliminonte Indrit Doklen.

Pas publikimit të dëshmisë së Dumanit, në vend ndodhën krime ku u eliminuan njerëz të Martinajt, përfshi dhe kushëririn e tij, Brilant Martinaj, kur ndër të dyshuarit ishte edhe Indrit Dokle, por që për të policia nuk ka ende prova.

Efektivi i policisë, Jeton Lami është lënë në burg me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi u zbulua se ai kishte ndihmuar Martinajn.

Martinaj është parë në shoqërinë Lamit, para se të zhdukej pa lënë asnjë gjurmë në verën e këtij viti.

Policia dyshon se Ervis Martinaj kishte shkuar në Shijak për të lidhur aleancë me një grup të fuqishëm të zonës. Disa burime informacioni të ndryshme mbështesin pistën se aty mund të jetë shitur te grupet rivale. Këto dyshime mbështeten edhe në transkriptet e bisedave mes personazheve të botës së krimit që disponohen nga autoritetet ligjzbatuese të publikuara në Inside Story.

“Hetimet për zhdukjen e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj janë në rrugë të mbarë”,  ishte kjo deklarata e fundit e drejtorit të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku në lidhje me zhdukjen e Martinajt.

Ervis Martinaj është një prej personave më të njohur të botës së krimit në vend, i cilësuar një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë. Ai akuzohet për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda që kanë tronditur vendin.

 

FOTO GALERI
1/13

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA