SPAK, hetim Martinajt! Policia i kërkon prokurorisë të hetojë zhdukjen

18/09/2022 19:27

Në SPAK, Ervis Martinaj ka statusin e një të shumëkërkuari për llogari të hetimeve të hapura mbas operacionit të koduar “Plumbi i Artë”.

Por, Policia e Shtetit i ka sugjeruar prokurorëve të posaçëm që të shpallin kompetencën dhe të tërheqin nga prokuroria e Laçit dosjen që po hetohet prej javësh për rrëmbimin e Martinajt.

Zyrtarët më të lartë të policisë shqiptare mësohet se u takuan me prokurorët e posaçëm gjatë të premtes. Burimet pranë SPAK pohojnë se përfaqësuesit e ligjit kanë biseduar  për dosje konkrete si ajo e Ervis Martinaj, i futur në kartelën e kuqe me vendim të gjykatës së posaçme që shpalli në maj, arrest me burg në mungesë. Tre muaj më pas, Martinaj u denoncua në policinë lokale si i zhdukur dhe të dhënat e mbledhura në këtë rast, midis tyre pistat dhe alibitë, e kthyen dosjen Martinaj në një histori vere plot me pikëpyetje. As prokuroria e dytë , ajo e Laçit, që po heton rrëmbimin, nuk është ende në gjendje të konfirmojë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me të shumëkërkuarin, jo vetëm nga drejtësia.

Deri më tani, mes qindra veprimeve hetimore, veprimi më i rëndësishëm ishte ai i arrestimit të Jeton Lamit, një 28-vjeçar që u katapultua nga një polic i thjeshtë si anëtar i grupit operacional special. Por, teksa detyra e tij ishte të arrestonte të kërkuarit, ai ndërkohë shoqëronte të shumëkërkuarin Ervis Martinaj.

Polici nën akuzë për shpërdorim detyrë është mes njerëzve të fundit që shfaqet në kamera duke eskortuar të shumëkërkuarin. Por ai, deri më tani, po ruan kodin e heshtjes. Në pritje për të vlerësuar masën në Gjykatën e Apelit, 28-vjeçari është sjellë nga burgu i Shënkollit në Tiranë, ku ende nuk është vendosur nëse do të merret apo jo në mbrojtje, ai dhe familja e tij, si një ofertë e drejtësisë për ta siguruar në rast se ai flet, jo vetëm për Martinajn, por edhe për kolegë të tjerë në polici.

Top Channel