Veliaj shërben drekën e Krishtlindjes në qendrën sociale: Në këto festa, ndihmoni dikë në pallatin tuaj. Tirana, qyteti më solidar

25/12/2022 15:35

Kreu i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe stafi shërbyen drekën e krishtlindjeve për njerëzit në nevojë, në Qendrën Sociale Multidisiplinare.

“Këto vite na mësuan se jeta na përplas, na hedh në një cep – nuk e donim as pandeminë, as tërmetin dhe shkatërrimin që solli, as shumë prej vështirësive që mund të kenë familjet tona – por, unë besoj se ky qytet, me 1 milionë vetë, padyshim që ka edhe shumë pasuri, njerëz që kanë bërë hajër, po sigurisht që ka edhe shumë solidaritet. thirrja ime për ata që i kanë mundësitë në këtë Krishtlindje dhe Vit të Ri, për ata që në këtë periudhë festash kanë më shumë ushqim seç u duhet, më shumë rroba seç u duhen, më shumë lodra seç u duhen, të bëjnë diçka për komunitetin ku jetojnë“, tha kryebashkiaku i bashkisë Tiranë.

Veliaj tha se kohët e vështira kalohen më kollaj kur jemi bashkë teksa nënvizoi se e ardhmja e qytetit janë fëmijët, të cilëve duhet t’u sigurojmë një fillim të barabartë, që ata të shkëlqejnë.

“Për sa kohë që fillimi është i barabartë për të gjithë, pavarësisht kushteve të familjes, do të thotë se kush është më i miri, kush punon, kush ka talent, të eci përpara të shkëlqejë, nesër të bëhet kryetar bashkie, ose kryeministër, sepse unë nuk besoj që në një qytet të mirë nuk ka rëndësi i kujt je, ose e kujt je, apo tesera e partisë, as adresa, ne sigurohemi që të gjithë fëmijët ta kenë fillimin e barabartë”, u shpreh ai.

Veliaj e mbylli fjalën me një urim që vështirësitë si pandemia, tërmeti apo lufta në Ukrainë, të jenë vetëm e shkuara.

Top Channel