UET prezanton dy projekte Jean Monnet/ Ambasadorja e BE-së: Është nder edhe për universitetet europiane të fitojnë programe të tilla

25/12/2022 20:01

Jean Monnet Centre of Excellence dhe Jean Monnet Chair: EU Financial and Insurance Markets Regulation janë dy projektet e reja të fituara nga Universiteti Europian i Tiranës.

Këto programe që financohen nga Bashkimi Europian kanë për qëllim thellimin e njohurive për të kuptuar më mirë BE-në, në të gjitha fushat. Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann theksoi se marrja e këtyre programeve i bën nder universiteteve dhe t’i fitosh nuk është e lehtë as për universitetet europian.

Jean Monnet njihet  si më pragmatiku mes etërve themelues të Bashkimit Europian dhe programet që mbajnë sot emrin e tij, zënë një vend të veçantë në BE.

Kështu do të pohonte ambasadorja e përfaqësisë së BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann, ndërsa Universiteti Europian i Tiranës prezantoi dy projekte Jean Monnet.

“Është nder, madje edhe për universitetet europiane të kenë projekte si Jean Monnet Centre of Excellence. Jo të gjithë marrin dhe kjo nuk duhet nënvlerësuar”- tha Christiane Hohmann, ambasadorja e përfaqësisë së BE-së në Tiranë.

Veç Jean Monnet Centre of Excellence, UET ka fituar edhe projektin Jean Monnet Chair: EU Financial and Insurance Markets Regulation.

UET është i pari universitet në vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili ka fituar një projekt Jean Monnet Centre of Excellence.

Rektori i UET, Tonin Gjuraj, tha se për UET është e rëndësishme marrja dhe zhvillimi i dy projekteve Jean Monnet Chair.

“Ky është lajm i mirë, sepse integrimi është kompleks dhe arsimi është një sferë e rëndësishme”- thaTonin Gjuraj, Rektori i UET.

Institucionet që marrin pjesë në projektet Jean Monnet, pritet të mbështetin të ngarkuarin, ose thënë ndryshe chair holder, që në këtë rast është Universiteti Europian i Tiranës në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe veprimtari pasqyruese, duke i lejuar një game të gjerë kurrikulash të përfitojnë nga këto kurse.

Presidenti i UET, Selami Xhepa tha se ky institucion do të jetë chair holder për tre vitet e ardhshëm të këtyre projekteve

“Shpresoj që, me programin të japim kontribut dhe të krijojmë sinergji me qeverinë, me axhendën e integrimit,  me ekipin negociator,  jo vetëm me  kapitujt e ekonomisë por edhe në çështje të tjera me interes.”- tha Selami Xhepa, Presidenti i UET.

Sa i përket numrit të projekteve të fituara, UET është  një prej universiteteve lider në këtë fushë, në Shqipëri.

Top Channel