Ten Hag nuk i lë asgjë rastësisë, trajner “jete” për të zhgënjyerit e Botërorit!

21/12/2022 11:33

Pas pauzës si pasojë e zhvillimit të Kupës së Botës në Katar, futbolli i klubeve pritet të rikthehet shpejt për të vijuar me pjesën e mbetur të sezonit.

Manchester United rikthehet në fushë më datë 21 dhjetor në sfidën e Carabao Cup ndaj Burnley, teksa trajneri Erik ten Hag po mendon edhe për detajet më të vogla, në momentin që grupit të “Djajve të Kuq” do t’i bashkohen edhe lojtarët që ishin të impenjuar në Botëror. Së fundmi, tekniku holandez ka punësuar një nga ata që njihen si “trajner për jetën”.

Rainer Koers është ai i cili do të kujdeset për shëndetin mendor të lojtarëve, sidomos të atyre që rikthehen pas Botërorit, pasi nëse morali është i lartë tek Lisandro Martinez që fitoi Kupën e Botës, ndryshe mund të ndodhë me Varane që vjen nga zhgënjimi i finales së humbur apo edhe Maguire, Rashford, Shaë me Anglinë, pa harruar brazilianët Fred, Casemiro e Antony. Qëllimi i Koers është të integrojë sërish nga ana emocionale këta lojtarë në mënyrë që në fushë ata të rikthehen e të dhurojnë më të mirën.

Ndërkaq, një tjetër risi e Ten Hag është edhe komunikimi me disa ekspertë të çiklizmit, me holandezin që kërkon të mësojë më shumë rreth regjimit ushqimor dhe gjumit teksa synon që të mos i lërë asgjë rastësisë duke pretenduar maksimumin që në sezonin e parë me United. Aktualisht, Manchester United është në vendin e pestë të renditje me 26 pikë teksa synimi kryesor është pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA