Një nga vendet më të vizituara në botë, por çfarë bëhet me monedhat e hedhura në Fontana di Trevi?!

21/12/2022 16:51

Nëse keni vizituar Romën, me siguri keni parë njerëz që hedhin monedha në shatërvanin e famshëm Trevi.

Çdo vit, mbi 1 milion euro përfundojnë në ujin e monumentit spektakolar të shekullit të 18-të.

Për më shumë se një dekadë, të ardhurat të mbledhura nga një ekip i përkushtuar çdo disa muaj, kanë kontribuar në ndonjë kauzë shumë të mirë.

I ndërtuar mes viteve 1732 dhe 1762, shatërvani i Trevit është një nga pamjet më ikonike të Romës dhe është projektuar nga Nicola Salvi.

Rituali u bë i famshëm nga filmi i vitit 1954 “Tre monedha në shatërvan”. Çdo ditë, rreth 3,000 euro përfundojnë në shatërvanin e Trevit. Kjo rezulton si deri në 1.5 milion euro që hidhen në ujin e tij çdo vit.

Rreth dy herë në vit, qyteti dërgon një ekip për të mbledhur paratë. Punëtorët përdorin pajisje të ndryshme për të pastruar monedhat në pirgje dhe më pas përdorin një zorrë thithëse për të nxjerrë paratë nga uji. Më pas monedhat futen në thasë nën vëzhgimin e policisë.

Në vitin 2001, kryetari i bashkisë vendosi që paratë të mblidheshin për ndonjë qëllim bamirësie vendase për të ndalur përpjekjet e shpeshta të njerëzve për të vjedhur monedha nga shatërvani.

Që atëherë, ato i janë dhuruar çdo vit organizatës bamirëse katolike të Romës, Caritas. Ajo ka qenë një nxitje e madhe për bamirësinë dhe shuma tani përbën 15 % të buxhetit të saj vjetor.

Grupi i përdor paratë për të ndihmuar të varfrit dhe nevojtarët e qytetit. Kështu me ato para financohen kuzhina popullore, strehimore për të pastrehët, produkte falas në markete dhe të tjera. Ato gjithashtu shkojnë drejt mirëmbajtjes së një kompleksi në periferi të Romës që strehon një shtëpi pleqsh, mensë dhe dentist për banorët e qytetit që jetojnë në varfëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA