Jo vetëm në kampionat, sulmuesi i Kosovës i shënon Fenerbahces edhe në Kupë

20/12/2022 22:35

Fenerbahce triumfoi 3-1 ndaj Istanbulsporit në takimin e raundit të 1/16 në Kupën e Turqisë, sfidë të cilën e nisën si titullarë për ekipin mik Eduard Rroca, Valon Ethemi dhe Jetmir Topalli.

Ky i fundit realizoi golin e vetëm të Istanbulsporit në këtë përballje, në të cilën u aktivizua edhe Sidrit Guri në pjesën e dytë, një tjetër lojtar i kolonisë shqiptare të Istanbulsporit.

Topalli, i cili numëron tri ndeshje me Kosovën, tundi rrjetën e skuadrës së famshme në minutën e tretë shtesë, duke përfituar nga top i përplasur në traversë. Ky ishte goli i shtatë sezonal mes kampionatit dhe Kupës për 24-vjeçarin.

Sulmuesi dardan i shënoi Fenerbahces edhe në duelin e zhvilluar në tetor në kampionat, ndeshje që u fitua 2-5 nga skuadra e portugezit Jorge Jesus. Topalli realizoi dy golat e Istanbulsporit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA