Kur je zëvendës ministre siç ishte Rovena Voda në burg përfundon edhe për një arkë peshk.
Hetohesh imtësisht përmes qindra orëve përgjime, hetimesh me metodat speciale që nga dëshmitarët, ndjekja këmba këmbës teksa ish-zyrtarja pinte kafe deri tek vëzhgimet ambientale e sekuestrimi i kamerave të sigurisë apo peshimi i arkës me peshk që ja futën në automjet për një vend pune.
Por kur je ministër e më pas zëvendës-kryeministër siç ishte Arben Ahmetaj, prokurorët e SPAK nuk bëjnë as veprimin minimal e jo më ta dërgonin në qeli. As e kanë pyetur, as e kanë ndjekur dhe as kanë dëgjuar personat e bashkëlidhur në fashikull mbi rëndësinë e firmave që Arben Ahmetaj ka vendosur për inceneratorin e Elbasanit.
Megjithëse me akses të plotë në sistemin TIMS , prokurorët e SPAK nuk kanë verifikuar hyrje- daljet e ish ministrit të financave, që ndërsa firmoste paguhej për udhëtime të shtrenjta nga Klodian Zoto, njëherazi nën akuzë për inceneratorët së bashku me dhjetë persona të tjerë.
Pavarësisht se provat dolën nga këqyrja e kompjuterëve të Zotos ato në mënyrë flagrante nuk u panë nga dy prokurorët Eneid Nakuci dhe Klodian Braho.
Ndërkohë gazetari Adriatik Doçi denoncoi aferën duke publikuar të dhënat, ku del se Arben Ahmetaj u pagua nga Zoto për të qëndruar në një hotel luksoz në Vjenë, në Milano në hotele që kushtonin jo sa një arkë peshk.
Por për vetëm dy netë qëndrim janë paguar 1600 euro. Nuk kushtonte sa një arkë peshk aq hoteli Mandarine Oriental Hotel, i paguar në 2016 nga Klodian Zoto për bashkëshorten e Ahmetaj, zonjën Erjola Hoxha, dhe ku rezulton se një natë paguhet nga 1500 euro në 8 mijë euro Suita.
Top Channel