Për fat të keq sulmuesi i kombëtares, Armando Broja humbi pjesën e mbetur të sezonit me Chelsea-n teksa në sfidën miqësore të para pak ditëve ndaj Aston Villa-s, këputi ligamentin e gjurit të djathtë dhe tashmë do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.
Ndërkohë, te Chelsea nuk humbasin kohë dhe përgatiten për merkaton e janarit në kërkim të zëvendësuesit të lojtarit shqiptar.
Por, nëse pritej që “Blutë e Londrës” të pretendonin shërbimet e emrave të mëdhenj si Cristiano Ronaldo, bëhet e ditur se ata janë shumë pranë firmës me një 19-vjeçar. Fjala është për talentin David Datro Fofana, i cili aktivizohet me skuadrën e Molde në Norvegji.
Pritet që kartoni i sulmuesit nga Bregu i Fildishtë t’i kushtojë arkave të Chelsea-t 10 milionë euro ndërsa mbetet ende të përcaktohen shifrat personale të Fofana me klubin anglez. Për Fofana ka pasur interes edhe nga ana e Brighton, megjithatë te Chelsea janë treguar më të shkathët dhe besojnë shumë te aftësitë e sulmuesit 19-vjeçar.
Në 24 ndeshje të këtij sezoni, Fofana ia ka dalë të gjejë rrugën e rrjetës në 15 raste ndërsa regjistron edhe pesë asiste në elitën norvegjeze, shifra që kanë bindur plotësisht anglezët për ta transferuar në merkaton e janarit.
Top Channel