Aksi Thumanë-Kashar, pjesë e projektit “1 Miliardë” iu nënshtrua prokurimit pas një oferte të pa kërkuar të bërë nga kompania “Gener 2”.

Në korrik të vitit 2018 Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë njoftoi se kompania ishte shpallur fituese me një ofertë 225.8 milionë euro. Në garë ishin edhe tre kompani të tjera.

Megjithatë, qeveria u tërhoq nga projekti në vitin 2019 pasi deklaroi se këto para të parashikuara për projektin do t’i dedikoheshin “Paktit për Universitetin” pas protestave masive të studentëve. Asokohe, kishte shpërthyer skandali i tenderit 30 milionë euro për një prej loteve të unazës së Tiranës. Investigimet zbuluan pas kompania fituese D-H Albania kishte falsifikuar dokumentet për tenderin. Ajo rezultonte një zgjatim i “Gener 2”.

Qeveria u detyrua të bëjë hapa pas për koncesionin pasi “Gener 2” iu drejtua Gjykatës. Kjo e fundit i dha të drejtë duke detyruar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të rinegociojë kontratën. Por, ajo që ishte skandaloze në këtë moment ishte fakti se qeveria nuk e ankimoi vendimin.

Le ta shohim pak më në detaje vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë të datës 27 korrik 2021 për këtë koncesion. Gjyqtarja Rilinda Selimi ishte kryesuesja e trupit gjykues, të përbërë ndër të tjera edhe nga gjyqtaret Altina Nasufi dhe Blerona Hasa.

Në argumentet e kompanisë thuhet se konkretisht, në momentin kur ka ndodhur anulimi nga ministria ajo kishte nënkontraktuar shërbime, konsulentë, siguri bankare, pagesa për stafin, kontrata huapërdorje, kontrata shitblerje etj. Këto, janë konsideruar dëme ndaj kompanisë. Sipas tyre, pala e paditur, pra Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në mënyre arbitrare ka marrë një vendim për ndërprerje procedure.

Ndër të tjera thuhet se ka qenë edhe vetë ministria ajo që ka kërkuar prej subjektit dhe prej organeve të pushtetit vendor që të fillohej menjëherë për marrjen e masave për zbatim të kontrates koncesionare.
Ky projekt do të zhvillohej me kapital të kompanisë në vlerë 25 milionë euro dhe 169 milionë euro do të merrej kredi.

Nga ana tjetër, ministria ka pretenduar se nuk konstatohen shkelje të ligjit nga ana e saj.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë I dha të drejtë dhe me vendimin e datës 5 dhjetor 2019 vendosi rrëzimin e padisë së kompanisë.

“Gjykata ka vlerësuar se ky pretendim i palës paditëse është i pambështetur në përcaktimet e ligjit nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar.”
Por, situata ndryshoi në Apel ku u rrëzua vendimi i shkallës së parë, duke i dhënë të drejtë kompanisë “Gener 2”.

“Tërheqja e palës së paditur me anë të këtij akti nga procesi i miratimit të draft kontratës ka ndërhyrë në mënyrë të pajustifikuar në të drejtën e pritshme të palës paditëse për finalizimin e kontratës,”
Si rrjedhojë, gjykata vendosi shfuqizimin e urdhrit të ministrisë për anulimin e koncensionit. Ajo që bie në sy është se një nga antaret e trupit gjykues, gjyqtarja Altina Nasufi është shprehur kundër këtij vendimi të Gjykatës Administrative të Apelit. Ajo që ngre hije të forta dyshimi është tërheqja e Ministrisë së Infrastrukturës nga procesi ligjor.

Institucioni i drejtuar nga Belinda Balluku, nuk bëri rekurs në Gjykatën e Lartë për të kundërshtuar një vendim që vetë e kishte konsideruar të pa mbështetur në ligj. Pra, mungesa e një rekursi I hapi rrugën nënshkrimit të kontratës me “Gener 2”.

Top Channel