Ekspertë ligjorë ndërkombëtarë ndihmojnë Ukrainën të hetojë dhunën seksuale gjatë luftës

12/12/2022 16:16

Një ekip këshilltarësh ligjorë ndërkombëtarë po punon me prokurorët ukrainas në qytetin e çliruar së fundmi të Khersonit, ndërsa kanë filluar të mbledhin prova të krimeve të dyshuara seksuale të kryera nga forcat ruse, si pjesë e një hetimi në shkallë të gjerë.

Ekipi nga firma ligjore ndërkombëtare “Global Rights Compliance” me seli në Hagë, është bërë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë ndërkombëtare për të mbështetur autoritetet ukrainase, që kërkojnë t’i mbajnë përgjegjës forcat ruse për krimet që supozohet se kanë kryer gjatë konfliktit.

“Ne kemi ardhur këtu për një mision tre-ditor për të mbështetur Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm dhe veçanërisht ekipin që heton dhunën seksuale të lidhur me konfliktin,” tha Julian Elderfield, një nga këshilltarët ligjorë që mori pjesë në misionin në Kherson.

Khersoni u pushtua nga forcat ruse për muaj të tërë përpara se trupat ukrainase ta rimerrnin atë në fillim të nëntorit, në një nga disfatat më të mëdha ushtarake për Moskën deri më tani.

Më shumë se 50,000 incidente të dyshuara të krimeve ndërkombëtare janë raportuar nga prokurori i përgjithshëm i Ukrainës që nga fillimi i konfliktit.

Moska, ka mohuar kryerjen e krimeve të luftës apo vënien në shënjestër të civilëve, dhe Kremlini mohon akuzat për dhunë seksuale nga ushtria ruse në Ukrainë.

Në qershor, Ukraina zhvilloi gjyqin e parë të një ushtari rus të akuzuar për përdhunimin e një gruaje ukrainase gjatë pushtimit rus. I dyshuari nuk ishte në paraburgim dhe u gjykua në mungesë.

Ekipi i këshilltarëve ligjorë u bashkuan me prokurorët ukrainas që vizituan spitalet, një qendër lokale të shpërndarjes së ndihmës dhe vende të tjera për të intervistuar viktimat e abuzimeve të supozuara, përfshirë dhunën seksuale.

Njësia speciale e prokurorëve ukrainas për dhunën seksuale të lidhur me konfliktin po mbledh gjithashtu prova filmike dhe fotografi që mund t’i ndihmojnë të identifikojnë autorët.

Anna Sosonska, nënkryetare e njësisë prej tetë anëtarësh të Ukrainës, i tha agjencisë Reuters se do të mbikëqyrte hetimin dhe do të shqyrtonte rolin e mundshëm të udhëheqësve politikë dhe ushtarakë rusë në çdo krim.

“Kudo ku ishin vendosur ushtarët rusë kryen krime lufte, kryen dhunë seksuale dhe torturuan dhe vranë,” tha ajo.

Sipas Konventave të Gjenevës që vendosin standarde ligjore ndërkombëtare për zhvillimin e konflikteve të armatosura, përdhunimi mund të konsiderohet krim lufte. Dhuna seksuale e përhapur ose sistematike mund të çojë në krime kundër njerëzimit, që përgjithësisht shihen si më serioze, thanë specialistët ligjorë.

Një sfidë tjetër qëndron në dinamikën e shpejtë të ndryshimit të luftës.

“Është e nevojshme të mblidhen prova sapo të ndodhin krimet. Por me përmirësimin e kushteve, bëhet edhe më e rëndësishme që të paraqiten viktimat e dhunës seksuale”, thotë Julian Elderfield.

Ekipet ligjore ka të ngjarë të duhet të lëvizin brenda dhe jashtë zonave të kontestuara shpejt, dhe zhurma e shpërthimeve të largëta ndërsa reporterët e agjencisë Reuters shoqëronin hetuesit në Kherson javën e kaluar ishin një kujtesë e luftimeve të vazhdueshme.

Dëshmitarët janë larguar nga zona dhe duhet të gjenden. Njerëzit gjithashtu mund të jenë nervozë për të folur kur është e paqartë nëse trupat ukrainase do të jenë në gjendje të mbajnë territorin që kanë rimarrë për një kohë të gjatë./VOA

Top Channel