Anglia i tha lamtumirë Kupës së Botës, Katar 2022, me “Tre Luanët” të cilët u eliminuan në çerekfinale përballë Francës.
Ishte një sfidë shumë e luftuar, me raste, me gola, por në fund ëndrra për titullin e dytë kampion u shua.
Një nga protagonistët e kësaj sfide, por edhe te përfaqësuesja angleze, Declan Rice ka deklaruar se nga kjo përballje, u eliminua skuadra më e fortë dhe Franca kaloi me shumë fat në gjysmëfinale.
“Ishte një sfidë të cilën ne luajtëm shumë mirë, më mirë se kundërshtari. Përpara takimit natyrisht ne kishim pikëpyetjet tona, por ishim maksimalisht të bindur se kishim forcën e duhur për të mposhtur Francën. Seriozisht, përveç dy golave nuk mbaj mend asnjë rast të tyre. Nuk jemi të kënaqur me disa vendime nga arbitri kryesor, por në fund ishim ne që humbëm dhe prandaj jemi përgjegjës për këtë disfatë dhe llogaritë duhet t’i kërkojmë vetëm brenda grupit. Ne jemi të rinj, me shumë lojtarë të mirë. Për mendimin tim, skuadra më e mirë u eliminua dhe kjo tregon nivelin tonë. Gareth Southgate? Shpresoj të qëndrojë. Shumë gjëra janë thënë mbi të ardhmen, ka shumë kritika të pamerituara, por me bindje them se nuk është faji i tij për këtë eliminim. Taktika e tij ishte e drejtë, por ne pësuam dy gola dhe nuk është faji i trajnerit, por duhet kërkuar te lojtarët”- deklaroi 23-vjeçari i West Ham./ Super Sport
Top Channel