Ngërçin e pritshëm të energjisë këtë dimër, Franca kërkon ta zgjidhë me reaktorët bërthamore. 40 nga 56 reaktorë të tillë që numëron ky vend, janë lidhur sërish me rrjetin, e dëshmuar kjo nga vetë operatori EDF, në shërbim të të cilit janë vënë së fundi tre reaktorë të tjerë.
Për shkak të problemeve teknike dhe punimeve të mirëmbajtjes, prodhimi i energjisë elektrike në Francë është prej muajsh në nivel historik të ulët. Qeveria në Paris u bën thirrje rregullisht familjeve dhe bizneseve të kursejnë energji elektrike.
Për shkak të çmimeve të larta të energjisë, disa kompani kanë ulur prodhimin e tyre. Parisi u përball së fundi me një ndërprerje madhore të energjisë elektrike, e cila preku 125.000 vetë. Për shumicën e shtëpive, furnizimi me energji elektrike u rivendos para mesnatës. Autoritetet franceze po përgatiten për ndërprerje të tjera të energjisë elektrike prej disa orësh në dimër. Për herë të parë në dekada, Franca po importon më shumë energji elektrike këtë vit sesa eksporton.
Energjia elektrike vjen veçanërisht nga Gjermania, e cila nga ana e saj ka blerë gaz direkt nga Franca për herë të parë që nga tetori. Me reaktorët bërthamorë që janë aktualisht në funksionim, fuqia është 39 gigavat, të instaluar janë 61 gigavat. Gjatë verës, ishin mbyllur njëkohësisht deri në 32 reaktorë bërthamorë.
Top Channel