Udhëtimet e Arben Ahmetajt/ Nga Milano, Vjena e deri në Bukuresht, si u paguan me kartën e bankës së Zotos

09/12/2022 15:09

Kallëzimi i gazetarit Adriatik Doçi, në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, është një tregues i fortë i korrupsionit në nivele të larta të qeverisë, që ka tronditur jo pak opinionin publik.

Në provat e siguruara nga gazetari Doçi vërehen disa emaile që shtetasi në kërkim Klodian Zoto, i ka kërkuar hoteleve me 5 yje, rezervime për ish-Ministrin e Financave Arben Ahmetaj dhe bashkëshorten e tij, Erjola Hoxha.

Prova e parë e dorëzuar nga gazetari është një e-mail ku hoteli luksoz në Vjenë “Starlight suiten hotel renngasse” ka konfirmuar pagesën e Klodian Zotos në vitin 2013 për qëndrimin e Arben Ahmetajt. Bashkangjitur provave, është dhe karta e kreditit e shtetasit Klodian Zoto.

Një tjetër rezervim është ai në Hotel Principe di Savoia, në Milano. Sipas emaileve të Zotos, ai ka rezervuar një dhomë Ambasador Suit për shtetasin Mirel Mërtiri, por në fakt i ftuar ka qenë ish-Ministri Arben Ahmetaj. Për këtë rezervim, në një nga hotelet më të mira të Milanos, Zoto ka paguar për Ahmetajn 1600 euro për 2 netë qëndrimi.

Në provën e tretë e paraqitur në kallëzimin e SPAK, është një tjetër email ku Zoto paguan një faturë në shtator të 2016 në Mandarine Oriental Hotel, sërish në Milano, por kësaj here për gruan e Arben Ahmetajt, znj. Erjola Hoxha. Nuk dihet sesa është pagesa e kryer për znj. Hoxha, por vetëm një natë qëndrimi në këtë hotel nis nga 1.500 euro deri në 8.000 euro për Suitën.

Në provën e katërt, është rezervimi i një hoteli sërish me 5 yje në Vjenë, tek Hotel Sans Souci Vienna, ku Zoto ka paguar vetëm për dy netë rreth 1180 euro.  Të njëjta rrjedhje të emaileve të Zotos vijojnë dhe për dy rezervime të tjera, ku i pari është për Grand Hotel Mariott në Bukuresht, dhe tjetri në Hotel Hermitage në Monte Carlo.

Për rezervimin e parë, Zoto ka paguar një Dhomë Matrimoniale për Arben Ahmetajn, në korrik të 2017 me vlerë 1767 euro. Udhëtimet përkojnë me datat para dhe pas dhënies së koncesionit të inceneratorit të Elbasanit, duke ngritur dyshime për korrupsion ndaj ish Ministrit të Financave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA