Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se brenda dy ditëve të fundit janë arrestuar dy serbë, që ishin në kërkim për sulme ndaj zyrtarëve policorë.
“Siç edhe jemi zotuar në vazhdimësi, lufta jonë kundër krimit dhe rritja e sigurisë për qytetarët pa dallim nuk kanë alternativë. Do të vazhdojmë angazhimin maksimal që të gjithë kryesit e veprave kriminale e terroriste të sillen para drejtësisë”, tha Sveçla përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Ky njoftim i Sveçlës vjen pasi Policia e Kosovës njoftoi se më 9 dhjetor ka arrestuar një serb të dyshuar për përfshirje në një sulm me armë zjarri ndaj zyrtarëve policorë.
M.A u arrestua në Jarinjë, në veri të Kosovës, ku gjendet një prej pikëkalimeve kufitare midis Kosovës dhe Serbisë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ky person ishte në kërkim, për një sulm ndaj Policisë që kishte ndodhur kohë më parë.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimet dhe aktivitetet e saja në realizimin e objektivave policore, përfshirë edhe arrestimin dhe vënien para drejtësisë të personave të kërkuar edhe ky arrestim dëshmon se askush nuk mund t’i ikë drejtësisë dhe herët a vonë do të përballet me forcën e ligjit”, u tha në njoftim.
Gjatë këtij viti, pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë qenë cak i disa sulmeve që kanë ndodhur në veri të Kosovës, pjesë e banuar me shumicë serbe.
Rasti i fundit ndodhi më 8 dhjetor në Zveçan, ku pas një sulmi “me armë të gjata” ndaj zyrtarëve policorë që po patrullonin, një polic mbeti i plagosur. Një ditë më pas ai iu nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjike dhe është jashtë rrezikut për jetë.
Sulmi i fundit ndaj Policisë vjen në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, teksa autoritet zgjedhore në Kosovë po vazhdojnë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri.
Nga 6 dhjetori, në veri janë shënuar disa incidente me armë zjarri dhe granata, që autoritetet e Kosovës i kanë cilësuar si “sulme terroriste”. Policia më 8 dhjetor njoftoi për rritjen e prezencës në veri, që shtyu zyrtarët në Serbi të paralajmëronin për mundësinë e dërgimit të trupave në Kosovë.
Serbia ka thënë se i lejohet që në bazë të rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara të dërgojë trupa në Kosovë, por presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nuk do të ketë më kurrë policë e ushtarë të Serbisë./ Radio Evropa e Lirë
Top Channel