Aksident i rëndë në Qafën e Muzinës/ Mjeti rrëshqet disa metra poshtë rrugës, ndërron jetë shoferja

09/12/2022 12:09

Një aksident i rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në Qafën e Muzinës në Sarandë.

Enkelejda Bejko, 50 vjeçe, nënë e një djali ishte këtë herë viktima e aksidentit. Ajo ka qenë duke drejtuar një mjet ‘Hunday’ kur ka dalë nga rruga në një kthesë në zbritje.

Aksi është problematik prej vitesh dhe në një gjatësi gati 400 m në të dy anët e qafës janë shënuar vetëm në 5 vitet e fundit katër aksidente fatale si dhe shumë të tjerë me të plagosur.

Në vendin e daljes nga rruga të aksidentit të sotëm mungon bordura anësore, nuk ka vijëzim dhe as tabelë paralajmëruese në zbritje. Sipas vlerësimit paraprak besohet se shkak për daljen nga rruga është bërë rrëshqitja e mjetit prej lagështisë dhe pamundësia për të manovruar në hyrje të kthesës. Mjeti është shembur 50 m nën rrugë dhe ka pësuar disa përmbysje që vihen re në strukturën e jashme të makinës.

Drejtuesja e mjetit që ka humbur jetën në vend udhëtonte e vetme, vinte nga Greqia dhe udhëtonte drejt fshatit Markat në Konispol. Sipas familjarëve ajo udhëtonte prej 20 vjetësh në të njëjtin aks drejt familjes dhe kishte përvojë të gjatë në drejtimin e mjetit.

Forcat e policisë dhe zjarrfikëses po përpiqen të nxjerrin trupin e viktimës nga mjeti.

Aksi i vjetër drejt Sarandës pas ndërtimit të rrugës së re nuk përdoret shpesh nga mjetet. Mirëmbajtja e tij lë për të dëshiruar të paktën në 4 pika kritike në të dy anët e qafës së Muzinës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA