Mbrëmjen e së enjtes, makina ku udhëtonte Olsi Nika së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur shpërtheu si pasojë e një defekti në impiantin e gazit.
Si pasojë e shpërthimit 4 pjesëtarët e familjes pësuan lëndime dhe u transportuan në spital.
Por kjo nuk është një ngjarje e izoluar. Nga të dhënat e shërbimit zjarrfikës të kryeqytetit, çdo muaj digjen nga defektet në mjet 7 – 8 makina në muaj.
Shpërthimi i një impianti gazi të vendosur në një makinë, nuk është thjeshtë një defekt teknik por është tregues i nivelit të korrupsionit në institucionet në varësi të Ministrisë të Infrastrukturës, të cilët lëshojnë certifikata apo nuk kontrollojnë se si ndryshohet natyra e një mjeti motorik dhe nuk kanë garantuar standardet e sigurisë. Deri në momentin kur këto standarde do të vendosen, ngjarjet të tilla do të përsëriten.
Për të shmangur pasoja të rënda në rastet e zjarrit në makinë qytetarët duhet të kenë parasysh disa këshilla.
“Drejtuesit e mjetit të mbajnë fikse zjarri në makinë për të ndërhyrë që në momentet e para që zjarri të mos përhapet. Nëse nuk mund të ndërhyjnë duhet të evakuohen pasi zjarri përparon shpejt dhe makina mund të shpërthejë”, thotë Shkëlqim Goxhaj, drejtori i zjarrfikseve Tiranë.
Top Channel