Fiks Fare vëzhgoi nga afër punimet për rikonstruksionin e pallateve në Reps.
Bashkia Mirditë bëri në fillim të vitit një tender me vlerë 190 milionë lekë të rinj, ndërsa vendosi si kusht edhe afatet e mbarimit.
Firma që fitoi tenderin dha një afat prej 7 muaj e gjysmë, nga 8 muaj që dhanë të tjerët. Puna nisi në muajin mars 2022 (sipas tabelës në kantier), ndërsa duhet të përfundonte në mes të muajit shtator, ose në fillim të tetori (në rastin më të keq).
Por, në muajin dhjetor punimet ende s’kanë përfunduar. Madje, nga vëzhgimi që bëri kamera e Fiks Fare u konstatuan se punimet ishin bërë sporadike, punë të lëna përgjysmë, dritare të pavendosura … dhe siç shprehen dhe vetë banorët ” edhe një fëmijë i klasës së parë do i kishte kryer më mirë”.
Fiksi siguroi dokumentacionin e plotë ku thuhet se në muajin shkurt 2022, Bashkia Mirditë bëri një tender me vlerë 190 milionë lekë, ndërkohë që punimet filluan në muajin mars 2022.
Afati i punimeve sipas dokumenteve, ishte vetëm 7 muaj e gjysmë dhe duhet të përfundonte në fund shtatori apo në fillim tetori. Por, megjithëse jemi në muajin dhjetor, ende punimet s’kanë përfunduar.
Pamjet e transmetuara në Fiks Fare treguan se punët ishin lënë përgjysëm. Dritare të pavëna, disa apartamente i kanë dhe disa s’i kanë. Ndërkohë, s’janë vendosur as mermeret te shkallët, duke rrezikuar jetët e banorëve. S’ka as parmakë te shkallët… Madje, edhe mermerët që janë vendosur te dritaret janë vendosur shtrëmbër…
Në dokumentet e tenderit thuhet se ka “riparime të mjediseve në bashkëpronësi”, dhe në këto pallate janë vendosur disa pjesë mermeri, por shesh pushimet janë ende të pashtruara. Në një pallat tjetër po vendosej çatia, megjithëse dhjetor dhe punët duhet të kishin përfunduar në fillim tetori.
Në fund të dhjetorit 2021, Bashkia Mirditë hapi tenderin për punime rindërtimi me objekt “Rikonstruksion dhe riparim të mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa pallate, qyteti Reps”.
Fondi për këtë tender ishte 193 milionë lekë pa TVSH, ndërkohë që kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është 8 muaj. Në datën 18 shkurt 2022, në Agjencinë e Prokurimit Publik, u shpall njoftimi i fituesi.
Fitues u shpall bashkimi i operatorëve “LIQENI VII” dhe “KTHELLA”, të cilët krahas ofertës 184 milionë lekë, kriter përcaktues ishte edhe afati. Këto dy firma u zotuan se këtë kontratë do e bënin për vetëm 7.5 muaj, ndryshe nga firmat e tjera që ofruan 8 muaj për realizimin e punimeve.
Tenderat e rindërtimit janë marrëveshje të cilat vlerësohen me pikë. Çka do të thotë se, afati i kryerjes së punimeve ishte një kriter përcaktues. Këto firma, duke pasur këtë afat, u vlerësuan me 100 pikë. Sipas këtij dokumenti, koha e zbatimit të kontratës vlerësohet me 30 pikë, nga 100 të mundshme. 60 pikë i ka oferta ekonomike dhe 10 pikë i ka cilësia. Në përfundim, Bashkia e Mirditës i shpalli fitues.
Në nenin 14 të kontratës mes bashkisë dhe firmës përcaktohet se “kontraktori duhet të fillojë zbatimin e kontratës menjëherë sapo ta lidhë atë dhe duhet t’i mbarojë punët brenda afatit të mbarimit”.
Në nenin 33 përcaktohen edhe vonesa në zbatim dhe zgjatja e afatit. Firma duhet të fillojë zbatimin e kontratës mënjeherë pas nënshkrimit, kontratë e cila u nënshkrua në fund të shkurtit dhe filloi në mars, e cila kishte një afat 7 muaj e gjysmë!
Po nëse nuk zbatohet afati, a penalizohen firmat?! Në kontratë është përcaktuar se autoriteti përgjegjës ka të drejtë të kërkojë dëmet për vonesën në zbatim, nëse kontraktori dështon në dorëzimin e punës brenda afatit të dorëzimit të plotë të specifikuar në kontratë.
Dhe, në nenin 34 shkruhet se ka edhe klauzola për dëmet e likujdueshme për vonesën në mbarimit të punimeve. Kontrata është jo më shumë se 1 vit. Ja se çfarë shkruhet në këtë dokument;
–Për kontratat me periudhë zbatimi jo më shumë se 12 muaj, tarifa ditore do të jetë 2/1000 të vlerës koresponduese të mbetur pa u zbatuar nga çmimi total i kontratës, por kjo vlere do te llogaritet minimalisht mbi 25% të vlerës së kontratës.
Pra, nëse zbatohet ky kriter, atëherë duhet që Bashkia e Mirditës të penalizonte firmat fituese, vlera të cilat do të shkonin rreth 45 milionë lekë të rinj!
Por, a janë penalizuar?
Fiski u interesua në Bashkinë Mirditë, se përse janë lënë punimet në mes dhe përse kjo vonesë. Juristi i Bashkisë së Mirditës pranon se ende punimet s’kanë përfunduar. Edhe Drejtoresha Juridike s’kishte dijeni nëse firma ka bërë apo jo kontratë për shtyrje afati. Madje, kërkonte që të bisedonte me përgjegjësen e Urbanistikës për këtë problematikë.
Pra, firmat s’kanë zbatuar kriterin përcaktues që fituan tenderin, atë kohor dhe nuk janë penalizuar nga Bashkia e Mirditës.
Edhe pse vetë kjo bashki mori përsipër që do të marrë masa për penalizimin e firmave që kanë shkelur kontratën. Megjithëse jemi zyrtarisht në dimër, banorët e Repsit do e kalojnë edhe këtë dimër në të ftohtë për shkak të zgjatjes së punimeve mbi afatin kohor, afat për të cilin firmat fituan dhe tenderin.
Top Channel