Pa leje ndërtimi, pa asnjë tullë të vendosur në terren, në Durrës kanë nisur të shiten apartamente qe nuk ekzistojnë.
Projekti i Durrës Marina Yacht nisi sot procesin e shitjeve të ndërtesave të para duke aplikuar çmime më të larta edhe se zonat e lakmuara në Tiranë. Blerësit sot kanë prenotuar ajër, për një projekt që ka shumë kundërshtime politike, por edhe ligjore në gjykatën kushtetuese. Opozita e quan atë si afera korruptive më e madhe e 30 viteve.
Shitja po bëhet në këtë zyrë ku janë vendosur makete të portit të ri si dhe broshura për apartamentet. Banorë të Durrësit, Tiranës, por edhe të huaj, kanë shprehur interes për të mësuar më shumë.
Ndërtesat e para parashikohet të jenë në një nga kalatat e mallrave në portin aktual. Por ende nuk dihet se kur do të zhvendoset porti drejt Porto Romanos në mënyre që të nisë projekti. Agjentët e shitjes së ndërtimeve thonë se kjo do të ndodhë për dy vite, por dyshimet bëhen të forta sepse në kaq kohë të shkurtër është sfidë e vërtetë ndërtimi i portit të ri të mallrave në Porto Romano ku shteti jo vetëm që s’ka nisur asnjë punë në terren, por është e paqartë edhe se ku do të gjenden paratë për financim.
Top Channel