Wizzair sjell avionin e saj të 10-të në bazën e Tiranës duke ofruar 4.8 milion sedilje për të gjithë pasagjerët që dëshirojnë të udhëtojnë vitin e ardhshëm.
Bashkë me këtë avion vijnë destinacione të reja si dhe fluturimet më të shpeshta në linja që tashmë janë ekzistuese. Avioni i ri A321Neo është një nga modelet më të mira në tregun e aviacionit dhe premton komoditet dhe rehati në një nga 49 destinacionet që ju do zgjidhni të shkoni me WizzAir.
“Nga Shqipëria tani do ketë lidhje të reja me Poloninë dhe me Italinë në total me 6 destinacione të reja, ndërsa do shpeshtojmë fluturimet drejt Athinës. Sa i përket Polonisë qytetarët mund të fluturojnë tashmë drejt Poznan dhe Gdansk, ndërsa në Itali qytetarët mund të shkojnë në Napoli, Salento, Trieste dhe Lamezia Terme.
Ndërsa drejt Athinës avionët e Wizz do fluturojnë 5 herë në javë duke filluar nga vera e ardhshme. Duam që të rrisim ndërlidhjen dhe turizmin në vend, ndërsa kjo do të sjellë më shumë vende pune. Tirana ka rezultuar një sukses fantastik deri më tani dhe është baza me rritjen më të shpejtë në të gjithë rrjetin tonë. Ne duam ta vazhdojmë këtë lidhje të fortë dhe sigurisht që Tiranën e kemi në fokus kryesor në planet strategjike të kompanisë sonë”, tha Yvonne Moynihan, Përgjegjëse e Korporatës së WizzAir.
Prenotimi i biletave për destinacionet e reja të Wizz fillojnë nga korriku i vitit të ardhshëm me çmimet bazë prej 25 euro në 6 destinacionet e reja, ndërsa drejt këtyre destinacioneve të Polonisë dhe Italisë do mund të fluturohet nga dy deri në tre herë gjatë javës.
Ndërkohë, nga aeroporti i Rinasit vetëm gjatë 10 muajve të parë të vitit kanë fluturuar 4.4 milionë pasagjerë, një numër rekord 66% më e lartë se numri i udhëtarëve në 2019-ën.
Top Channel