Shkuan në varrimin e 27-vjeçarit, policia hap zjarr mbi vajtuesit në Iran

07/12/2022 14:12

Një grevë mbarëkombëtare ka vazhduar në Iran për të dytën ditë me radhë.

Raportet që mbërrijnë nga aktivistët tregojnë se bojkoti ka rifilluar në shumë pjesë të vendit, duke përfshirë edhe mbi 20 tregje të mëdha e kolegje në kryeqytetin Teheran. Kjo ndodh në kohën kur Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit deklaroi se regjimi ka mobilizuar më shumë se 23.000 pjesëtarë të Gardës Revolucionare dhe të ashtuquajturat forcat Basij për të thyer grevistët e për të shpërndarë demonstratat e marshimet e mundshme kundër regjimit.

“Forcat e sigurisë kanë mbyllur dyqanet e grevistëve në disa qytete. Kështu, në njëfarë mënyre i nxitën edhe vetë më shumë tregtarë t`i bashkoheshin grevës, duke na e bërë situatën më të lehtë”, tha një prej tyre. Sipas raporteve lokale, edhe një numër tregtarësh që i ishin shmangur grevës dje, iu bashkuan asaj sot.

Në Teheran, autoritetet dërguan dhjetëra forca kundër trazirave në Pazarin e Madh të Teheranit. Megjithatë, ata nuk mundën ta thyenin grevën. Në ditën e 82-të të protestave të nxitura nga vdekja e 22 vjecares Mahsa Amini, studentët janë ngritur në universitetet anembanë republikës islamike, ndërsa grupe njerëzish vajtojnë ata që humbën jetën vetëm sepse guxuan të sfidojnë regjimin.

Një prej tyre ishte 27 vjeçari Mehran Samak. Dhuna nuk mungoi megjithatë as një ceremoninë përkujtimore të mbajtur në nder të tij në Bandar Anzali, në veri të Iranit, ku forcat e sigurisë sulmuan pjesëmarrësit, duke qëlluar mbi ta me municion të vërtetë.

Top Channel