Anglia dhe Franca pritet të jetë një nga sfidat më emocionuese të Katar 2022.

“Tre Luanët” të etur për një sukses që e presin prej shumë dekadash, ndërsa nga ana tjetër, “Les Bleus” pretendojnë të mbrojnë titullin e fituar para katër viteve në Rusi.

Të dyja skuadrat në organikën e tyre janë të pajisura me futbollistë të nivelit më të lartë ndërsa një nga përballjet që pritet me më shumë padurim është ajo mes Kylian Mbappe dhe Kyle Walker. Mbrojtësi i Manchester City-t, betohet se do t’ia bëjë jetën e vështirë talentit francez ndërsa thekson se nuk do ta presë atë në një tapet të kuq.

“Po flasim për një ndeshje ku luan Anglia me Francën dhe jo Anglia kundër Mbappe. Sigurisht ne e respektojmë Mbappe, por unë nuk do t’i shtroj atij tapetin e kuq dhe ta lejoj të shënoj me lehtësi. Është një ndeshje për jetë a vdekje pasi nëse humbasim, kthehemi në shtëpi. Do të mundohem ta ndal Mbappe, kjo është më e lehtë për t’u thënë se sa për t’u bërë, por unë nuk i nënvlerësoj aspak kualitetet e mia. Jam përballur me shumë lojtarë në të kaluarën time. Ai meriton respekt, por asnjë lojtar nuk mund ta bëjë i vetëm ekipin. Këtu nuk po flasim për tenis, por për futboll”, u shpreh Walker.

Deri më tani, Mbappe është golashënuesi më i mirë në këtë Botëror me pesë gola të shënuar teksa ia ka dalë me sukses të udhëheqë Francën deri në çerekfinale, por pa dyshimë që tashmë nis edhe “malorja” vendimtare drejt trofeut më të lakmuar dhe sfida e parë për Francën e 23-vjeçarin, është ajo e datës 10 dhjetor ndaj Anglisë.

Top Channel