Analistët: Samiti, shumë i rëndësishëm/ Dy qëllime kryesore, ndryshimi i tij me takimin e Bërdos

06/12/2022 10:24

Mes fanfarash mediatike zhvillohet sot në Tiranë samiti BE-Ballkani Perëndimor. Zyra e shtypit e Komisionit Europian e përshkroi si “një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë e madhe të partneritetit strategjik mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, këtij rajoni me një perspektivë të qartë europiane”.

Liderët e bllokut takohen me homologët e tyre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor-Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Samiti konsiderohet i rëndësishëm për një arsye madhore- është hera e parë që një takim i tillë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor mbahet jashtë bllokut europian.

Sipas analistëve të REL, dy janë qëllimet kryesore të këtij eventi: mbajtja e një fronti të bashkuar dhe shmangia e devijimeve. Kjo, në një kohë kur ky vit është shënjuar nga disa precedent jo të mirë në këtë drejtim. Samiti i fundit, i mbajtur në Bërdo të Sllovenisë vjeshtën e 2021-shit, u dominua nga përplasje e mospajtime nëse deklarata finale duhet të përfshinte fjalën “zgjerim”; kjo për shkak se disa prej anëtarëve të BE-së asokohe e kishin me dyshim idenë e shtrirjes së unionit.

Lufta e Ukrainës megjithatë, duket e ka ndryshuar deri në njëfarë mase optikën lidhur me Ballkanin Perëndimor, i cili tani duket se po gëzon një tjetër fokus të BE-së e SHBA-së. Të dhënat deri tani tregojnë se samiti i Tiranës do të shkojë më mirë. Së pari, takimi do të mbahet vetëm gjysmë dite, çka nënkupton më pak kohë për mospajtime.

Së dyti, draft-dokumenti që ka parë REL, për të cilin kanë punuar 27 vendet anëtare në javët e fundit, është optimist dhe jo shumë kritik për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Përgjatë verës u zhbllokua po kështu nyja në mospajtimet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe tani, sipas draft-dokumentit, zyrtarët europianë pritet të konfirmojnë se “BE-ja është plotësisht e përkushtuar për perspektivën e Ballkanit Perëndimor rreth anëtarësimit në BE, dhe pritet të bëhet thirrje për përshpejtim të procesit të zgjerimit”.

Në këtë dokument përfshihet edhe fjala “zgjerim”. Për më shumë, në këtë samit pritet të shmangen temat që shkaktojnë ndasi, sic është refuzimi i vazhdueshëm i Serbisë për t’i vendosur sanksione Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë. Disa çështje tjera, sic është marrja ose jo e statusit të vendit kandidat për anëtarësim nga Bosnje Hercegovina këtë vit, pritet të diskutohen më vonë gjatë dhjetorit.

Top Channel