Analisti Arjan Curri e cilëson të pazakontë protestën e thirrur nga Sali Berisha këtë të martë, e cila do të jetë pro samitit të BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tiranë.

Sipas Currit, e sigurt është që nesër liderët e Bashkimit Europian do të habiten nga protesta që do të zhvillohet pro tyre.

“Në 2500 vite histori proteste, duke filluar nga ajo e Klistenit në 508 para Krishtit dhe deri nesër nuk ka ndodhur kurrë një protestë pro udhëheqjes kombëtare ose ndërkombëtare. Partia Demokratike në këtë rast e ka në favor origjinalitetin e saj që thërret një protestë pro liderëve dhe kundër kryeministrit të vet. Ajo që ne kemi parë deri tani, kemi parë njerëz që sa herë që mblidhen samite, protestojnë kundër samitit, p.sh. kundër ngrohjes globale, të shpëtojmë balenat dhe gjëra të tilla. Ndërsa nesër liderët europianë do të habiten që po bëhet një protestë pro tyre dhe PD do të dojë t’i afrohet sa më shumë hotelit që t’i dëgjohet zëri”.

Por, nëse ky është një operacion publiciteti, opozita ka të drejtë sepse këtë rrugë ka, nuk ka rrugë tjetër, shprehet analisti në Top Story.

“Ne kemi parë që është një opozitë tjetër që shkon në Parlamentin Europian dhe takon liderët europianë. Kësaj opozitës së Foltores, kjo i ka mbetur si e vetmja rrugë komunikimi”.

E rëndësishme shton Curri, nuk është vendi ku do të protestohet, por masiviteti. A do ta arrijë Berisha qëllimin për të organizuar një protestë me pjesëmarrje masive nesër?

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA