Duke filluar nga kjo e hënë ka hyrë në fuqi një embargo e Bashkimit Evropian për naftën ruse, duke vendosur një kufi çmimi prej 60 dollarë për fuçi për eksportet ruse në vendet e tjera të vendosura nga grupi i G7 dhe BE.

“U desh një kohë e gjatë për të arritur këtu – por kjo është padyshim një nga përgjigjet më të forta ndaj luftës së Putinit në Ukrainë”, shkroi në Twitter Simone Tagliapietra, një eksperte e politikave energjetike në Bruksel.

Udhëheqësit perëndimorë janë tani duke ecur në një vijë të hollë mes përpjekjes për të ulur të ardhurat e Rusisë nga nafta dhe parandalimin e një mungese të produktit që do të shkaktonte një rritje të çmimeve dhe do të përkeqësonte inflacionin që mundon ekonomitë në mbarë botën. Nga ana tjetër  Rusia ka thënë se nuk do t’u shesë naftë vendeve që respektojnë kufirin.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, i pyetur se si kufizimi i çmimit të naftës mund të ndikojë në luftë, tha: “Ekonomia ruse ka potencialin e nevojshëm për të përmbushur plotësisht të gjitha nevojat dhe kërkesat brenda kuadrit të operacionit special ushtarak, dhe masa të tilla nuk do të ndikojnë në këtë gjë”.

SHBA, BE dhe vendet aleate e kanë goditur Rusinë me një mori sanksionesh që synojnë transaksionet bankare dhe financiare, importet e teknologjisë dhe individët e lidhur me regjimin dhe vendimi i fundit mbi naftën konsiderohet si një nga masat më të forta.

Nafta ka qenë një nga burimet kryesore të fitimeve ruse që nga zbulimi i naftës dhe gazit në Siberi pas Luftës së Dytë Botërore. Kufizimi i çmimit do të rishikohet nga BE dhe G7-a çdo dy muaj.

Top Channel