Trajneri i ekipit amerikan Gregg Berhalter tha se e kishte të vështirë ta pranonte skualifikimin nga 16-shja më e mirë e Kupës së Botës, pas një humbjeje 3-1 me Holandën të shtunën, por se u inkurajua nga përparimi i bërë nga ekipi i tij i ri në skenën e madhe të botërorit.

Amerikanët patën një fillim shumë të mirë të ndeshjes dhe pothuajse kaluan në avantazh nëpërmjet një aksioni të Christian Pulisicit, gjuajtja e të cilit u prit nga portieri Andries Noppert, përpara se holandezët t’i ndëshkonin me sulmin e tyre të parë.

Memphis Depay dhe Daley Blind shënuan gola pothuajse identikë, duke finalizuar lëvizjet preçize dhe të rrjedhshme të ekipit të tyre, dhe megjithëse Haji Wright u përpoq ta ndryshonte drejtimin e lojës për ekipin amerikan, Denzel Dumfries shuajti me shpejtësi shpresat për një rikthim të amerikanëve, duke rivendosur diferencën prej dy golash.

“Është e vështirë që ta kapërdijmë. Djemtë bënë gjithçka mundën dhe sot nuk ia dolëm dot, por jo sepse nuk u përpoqëm sa ç’duhet”, u tha zoti Berhalter gazetarëve.

“Gjysma e parë ishte një tregues i shkëlqyer se loja ishte e gjitha në disa momente. Ishim në kontroll të një pjese të mirë të pjesës së parë, dhe dy momente erdhën dhe papritmazi ishim 2-0. Mesazhi ishte se futbolli mund të jetë ndonjëherë i pamëshirshëm”.

“Janë thjesht momentet kur lojtarët ishin tek-tuk më pak të vëmendshëm dhe përfundon me shënim golash. Kur luhet në këtë nivel, përballë kundërshtarëve të nivelit të lartë, këto janë gjëra që ndodhin. Është për të ardhur keq kur ndodh në një lojë eliminatore, por kështu ndodhi dhe ne duhet të mësojmë nga kjo”.

Në një lojë që shpalosi avantazhet dhe dobësitë e amerikanëve në Kupën e Botës, atyre nuk u munguan shanset, por u vështirësuan në realizimin e golave dhe u detyruan të paguajnë përballë një Holande preçize.

Trajneri Berhalter e pranoi këtë si një dobësi të qartë të ekipit të tij të ri dhe jo me shumë përvojë dhe vuri në pah hendekun në cilësi mes tyre dhe Holandës, por tha se beson se nuk janë shumë larg konkurrimit me më të mirët e botës.

“Mendoj se ky grup është duke u afruar”, tha zoti Berhalter. “Kur shikon diferencën mes dy ekipeve, ekziston një cilësi në realizimin e sulmeve që kishte Holanda dhe që neve na mungonte”.

“Por, kemi bërë përparim. Nëse shikoni ekipin tonë, ka një identitet të qartë të asaj që po përpiqemi të bëjmë. Janë një grup shumë të përkushtuar me njëri-tjetrin dhe asaj që po përpiqen të arrijnë”.

“Kemi një grup me moshë shumë të re, kemi lojtarë që po fillojnë karrierën dhe do të përparojnë. Kjo nuk është për ta justifikuar këtë grup, pasi janë shumë këmbëngulës. Gjërat do të vijnë”.

Shtetet e Bashkuara do të jenë bashkëorganizatore të Kupës së Botës në vitin 2026./ VOA

Top Channel