“Ethe” zgjedhore në Greqi! Presion kryeministrit: Shpall datën e zgjedhjeve

04/12/2022 20:03

Duke ndjerë çdo ditë e më shumë afrimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Greqi dhe duke parë tensionin politik të përshkallëzohet, vetë e përditshmja konservatore Kathimerini në një artikull kryesor të saj të numrit të së dielës i bën thirrje kryeministrit grek të shpallë saktësisht ditën e zgjedhjeve.

“Vendi ka nevojë për përgjegjësi institucionale dhe stabilitet politik dhe një mënyrë për t’i shërbyer të dyja nevojave është që kryeministri të shpallë menjëherë datën e zgjedhjeve, që horizonti i muajve në vijim të jetë i qartë, siç do të ndodhte në shumicën e demokracive perëndimore” shkruan Kathimerini.

“Ekonomia greke vazhdon të jetë më produktive se shumica e atyre evropiane, me një ritëm zhvillimi afër 6% për vitin 2022. Vendi po kryen investime rekord.”– tha Kyriakos Mitsotakis kryeministër i Greqisë

Ndërsa kryeministri Mitsotakis edhe në llogarinë e tij ne Fb thekson se Greqia ka ulur inflacionin në krahasim me dy muajt e mëparshëm dhe vendet europiane si dhe papunësinë, partitë opozitare kritikojnë ashpër politikat qeverisëse në të gjitha sektorët e vendit.

“Vendi ynë ka çmimin më të shtrenjtë të benzinës në të gjithë B.E, ka çmimin më të shtrenjtë të energjisë elektrike nga çmimet e vendosura të kompanive energjetike në të gjithë B.E”- tha Aleksis Tsipras lideri i partisë Syriza

Përveç kritikave për privatizimin e disa prej sektorëve publikë të vendit që ka kryer partia në fuqi si në fushën e energjisë, të arsimit dhe të shendetësisë, debati politik po përshkallëzohet orët e fundit në lidhje me politikat bankare, pasi bankat greke tashmë tepër fitimprurëse , nuk duken të disponueshme të ndihmojnë klientët me kreditë e këqija dhe të lehtësojnë klientët për kreditë e investimeve, siç po ndodh në shtete e BE.

Sondazhet e shumta për zgjedhjet që parashikohen në pranverë, të cilat kësaj here do të kryhen me sistemin proporcional i japin gjithnjë avantazh partisë në fuqi nga 6-8%, por në një periudhë inflacioni, shtrenjtësie dhe një dimri nën hijen e krizës energjitike si pasojë e luftës në Ukrainë, askush prej analistëve nuk mund të përshkruajë pejzazhin politik pas numërimit të votave .

 

Top Channel