Tempulli tajlandez mbetet bosh, murgjit ‘pozitivë’ për drogë

01/12/2022 16:31

Një tempull tajlandez ka mbetur pa asnjë murg pasi të gjithë dështuan në testet e drogës dhe si pasojë u dëbuan.

Katër murgj, përfshirë abatin, rezultuan pozitivë për metamfetaminë në provincën veriore të Phetchabun, tha një zyrtar për agjencinë e lajmeve AFP.

Vendi i vogël fetar u bastis nga policia dhe zyrtarët shëndetësorë të hënën.

Largimi i murgjve ka shkaktuar habi në komunitetin lokal, i cili mbështetet tek ata për funksionet fetare.

Vitet e fundit, metamfetamina është bërë një çështje kryesore në Tajlandë, teksa konfiskimet e drogës kanë arritur nivelin më të lartë në vitin 2021, sipas Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin.

Vendi është një pikë kryesore tranziti për metamfetaminën. Droga vërshon në vend nga Myanmar – prodhuesi më i madh në botë i metamfetaminës – nëpërmjet Laosit.

 

Top Channel