Takimi Biden-Macron, mes shqetësimeve evropiane për ligjin amerikan mbi zbutjen e inflacionit

01/12/2022 16:23

Presidenti amerikan Joe Biden dhe ai francez Emmanuel Macron po takohen në këto momente në Shtëpinë e Bardhë.

Për të nderuar Presidentin Macron, Presidenti Biden shtron sonte darkën e parë shtetërore në Shtëpinë e Bardhë për një udhëheqës të huaj.

“Nëse shikoni se çfarë po ndodh në Ukrainë, shikoni se çfarë po ndodh në rajonin e Indo-Paqësorit dhe tensionet me Kinën, Franca është me të vërtetë në qendër të të gjitha këtyre gjërave”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, duke shtuar se “për gjithë këto arsye Presidenti Biden mendoi se ishte gjëja më e përshtatshme, që Franca të ishte vendi i parë që nderohej me një darkë shtetërore”.

Bisedimet pritet të përqendroheshin kryesisht në përpjekjet për të qëndruar të bashkuar në përgjigjen ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë dhe për të koordinuar qasjen e tyre ndaj Kinës që është bërë më autoritare.

Të dy udhëheqësit po festojnë miqësinë e gjatë SHBA-Francë, por takimi nuk është pa mosmarrëveshje.
Presidenti francez nuk po e fsheh pakënaqësinë e tij me ligjet e presidentit Biden për mjedisin, që Macron tha se do të kenë ndikim negativ tek kompanitë evropiane. Përpara takimit, Macron tha se ai dhe udhëheqës të tjerë evropianë janë po ashtu thellësisht të shqetësuar për ligjin amerikan që mbështet teknologjinë që nuk dëmton ambientin, të prodhuar nga Amerika.

Por, përpara takimit të së enjtes, Macron e bëri të qartë se ai dhe udhëheqës të tjerë evropianë mbeten thellësisht të shqetësuar me dy ligje të reja amerikane.

“Veçanërisht Ligji për Zbutjen e Inflacionit dhe Ligji i Mikroprocesorëve”, janë vendime që përçajnë Perëndimin, sepse krijojnë dallime mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Kjo duket sikur krijon përshtypjen se nuk duhen më investime në anën tjetër të Atlantikut. Veprimet amerikane mund të funksionojnë vetëm nëse ka një koordinim mes nesh, nëse vendosim së bashku. Kjo është vendimtare”, tha presidenti francez të mërkurën, gjatë një fjalimi në ambasadën franceze në Uashington.

Ligjet e kritikuara nga presidenti francez, synojnë të favorizojnë teknologjitë amerikane që nuk dëmtojnë mjedisin, duke përfshirë automjetet elektrike.

Ky nuk ishte i vetmi rast që Macron kritikon ligjet amerikane. Para fjalimit në ambasadën franceze, udhëheqësi francez kritikoi Ligjin për Reduktimin e Inflacionit dhe atë të Mikroprocesorëve edhe gjatë një dreke me ligjvënësit amerikanë të të dyja partive. Presidenti francez e bëri të qartë se përpjekjet e presidentit Biden për të frenuar ndryshimet mjedisore duhen duartrokitur, por subvencionet që do jepen në kuadër të ligjeve amerikane do të ishin një pengesë e madhe për kompanitë evropiane.

Bashkimi Evropian gjithashtu ka shprehur shqetësimin se kreditë tatimore në ligjin për mjedisin, përfshirë ato që synojnë nxitjen e amerikanëve për të blerë automjete elektrike, do të diskriminojnë prodhuesit evropianë dhe përbëjnë shkelje të rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë.

Macron kritikoi edhe një marrëveshje të arritur në samitin e fundit për mjedisin në Egjipt, në të cilin SHBA dhe vendet e tjera të pasura ranë dakord të paguajnë për dëmet që ndryshimet klimatike po u shkaktojnë vendeve të varfra. Marrëveshja përfshin pak detaje se si do bëhet pagesa dhe zoti Macron tha se nevojitet një qasje më gjithëpërfshirëse.

Zyrtarët e administratës së Presidentit Biden kanë kundërshtuar se legjislacioni ndihmon SHBA-në për të përmbushur qëllimet globale për të frenuar ndryshimet mjedisore. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, deklaroi të mërkurën se legjislacioni do të ofrojë gjithashtu mundësi të reja për kompanitë franceze dhe të tjerët në Evropë.

Top Channel