Akuzohet për mbulimin e një vjedhjeje/ Presidenti i Afrikës së Jugut rrezikon të shkarkohet

01/12/2022 16:06

Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa po përballet me një kërcënim të mundshëm shkarkimi pasi fajësohet për skandalin “Farmgate”.

Skandali Farmgate shpërtheu në qershor, kur një ish-bos i spiunazhit të Afrikës së Jugut, Arthur Fraser, paraqiti një ankesë në polici duke akuzuar presidentin për fshehjen e një vjedhjeje prej 4 milionë dollarësh nga ferma e tij Phala Phala në veri-lindje të vendit në vitin 2020.

Presidenti tha se vetëm 580 000 dollarë, që ishin nga shitja e disa buajve u vodhën nga jastikët e divanit të fermës së tij.

Një raport ka zbuluar se presidenti ka abuzuar me pozitën e tij dhe mund të ketë shkelur një ligj kundër korrupsionit duke mbuluar vjedhjen.

Pyetjet e shtruara:
“Pse presidenti kishte rreth 580,000 dollarë të ruajtura brenda një divani?
Pse dy vjet më parë nuk u raportua në polici vjedhja e atyre parave?
Pse buajt që ai thotë se janë shitur janë akoma në fermë?”

Raporti i është dorëzuar parlamentit, i cili do t’i shqyrtojë ato dhe do të vendosë nëse do të nisë apo jo procedurat e shkarkimit javën e ardhshme.

Opozita ka reaguar duke bërë thirrje që ai të largohet.

Ramaphosa është më pak se një muaj larg një konference e cila do të vendosë nëse ai mund të kandidojë për një mandat të dytë me partinë e tij, Kongresin Kombëtar Afrikan, në vitin 2024.

Top Channel