Tetë viktima në Itali, vazhdon kërkimi për të tjerë të zhdukur

28/11/2022 11:28

Ka shkuar në 8 bilanci i viktimave në ishullin Ischia të Italisë, ku pati rrëshqitje masive të dheut pas reshjeve të paprecedenta të shiut.

Ndërsa gërmimet vazhdojnë për të kërkuar persona të tjerë të zhdukur, mes viktimave sipas autoriteteve italiane është edhe një i porsalindur dhe dy fëmijë.

Mes viktimave u gjet edhe një grua e cila në momentet e fundit të jetës telefonoi babin e saj për ndihmë. I ati i saj duke folur për mediat lokale tha se ndihej i dëshpëruar që nuk mundi të bënte asgjë për të ndihmuar vajzën e tij.

Përroi i baltës shkatërroi shtëpitë dhe tërhoqi makinat në det, duke lënë pas  një panoramë katastrofe.

Situata pasoi ditë të tëra shiu në Italinë jugore, por tani që moti është zbutur shkalla e shkatërrimit po bëhet më e qartë. Më shumë se 100 zjarrfikës, dhe njësi të tjera shërbimi, janë vendosur në Ischia në përpjekje për të pastruar rrugët e bllokuara.

Automjetet e shkatërruara janë grumbulluar njëra mbi tjetrën, të shtypura nga forca e rrëshqitjes së baltës, gjurma e shkatërrimit të së cilës shenjon dukshëm peizazhin e këtij ishulli popullor turistik.

Top Channel