Nderohen patriotët në Gjirokastër, ekspozitë me objekte të trashëgimisë historike

28/11/2022 12:16

Në Gjirokastër është çelur një ekspozitë e rrallë si pjesë e eventeve që po mbahen për festat e Pavarësisë dhe Çlirimit.

Ekspozita sjell disa dhjetëra artefakte të dëshmisë materiale të patriotëve nga Gjirokastra përgjatë Rilindjes Kombëtare që i parapriu Pavarësisë, gjatë Pavarësisë, gjatë pushtimit e deri rreth fundit të viteve ‘50 kur në vend ishte instaluar diktatura.

Studiuesi Niko Kotherja shpjegon se disa prej tyre bëjnë pjesë në fondin e rrallë të trashëgimisë historike të Shqipërisë siç janë flamujt e qëndisur në periudha të ndryshme apo edhe regjistrimet e himnit të flamurit.

Mes objekteve që po tërheqin më së shumti vëmendjen e vizitorëve mund të përmenden botimet e hershme të atdhetarëve gjirokastritë gjatë Rilindjes Kombëtare, revistat “Drita” dhe “Dituria” të botuara në Stamboll e që po ekspozohen për herë të parë. Gjithashtu pjesë e koleksionit është Abetarja e gjuhës shqipe e vitit 1879 ku bashkautor është edhe Koto Hoxhi, rilindasi gjirokastrit.

Ekspozita është duke u ndjekur nga shumë vizitorë që kanë ardhur në Gjirokastër për festat e Nëntorit dhe do të qëndrojë e hapur deri në mes të dhjetorit.

Top Channel