Macron përballet me probleme të mundshme ligjore për konsulentët

24/11/2022 22:38

Presidenti francez Emmanuel Macron përballet me probleme të mundshme ligjore pasi prokurorët, më 24 nëntor, njoftuan se po hetonin shërbimet e kompanive konsulente gjatë fushatave zgjedhore kombëtare në vitin 2017 dhe 2022.

Edhe pse në njoftimin e prokurorit financiar nuk përmendet në mënyrë specifike fushata e Macronit, besohet se ekipi i tij zgjedhor është objektivi kryesor i dy hetimeve të veçanta, raporton Agjencia France Presse (AFP).

Prokuroria saktësoi se që nga tetori kanë nisur dy hetime për përdorimin e konsulentëve gjatë zgjedhjeve të vitit 2017 dhe të vitit 2022.

Siç raporton AFP-ja, këto shërbime konsulence kanë qenë në qendër të vëmendjes që nga marsi i këtij viti pas një hetimi nga Senati francez, i cili arriti në përfundimin se shpenzimet publike për to u dyfishuan nga viti 2018 në vitin 2021, gjatë mandatit të parë të Macronit.

Shuma e përgjithshme arriti në më shumë se 1 miliard euro (1.1 miliardë dollarë) vitin e kaluar, të cilën shifër e kanë cituar shpesh kundërshtarët e Macronit, gjatë fushatës së tij të prillit, raporton AFP.

Faqja e internetit hulumtuese e lajmeve Mediapart, raportoi se konsulentët nga firma amerikane McKinsey punuan falas në fushatën e Macron në vitin 2017.

Kabineti i presidentit francez njoftoi se “sistemi gjyqësor është i obliguar që këto hetime t’i kryejë në mënyrë plotësisht të pavarur”.

AFP-ja raporton se prokurorët do të hetojnë akuzat që kanë të bëjnë me llogaritjen e mundshme të rreme të fushatës zgjedhore dhe nënvlerësimin e kostove të fushatës, si dhe favorizimet e mundshme dhe komplotet në favorizim.

Franca ka rregulla rigoroze të financimit të fushatës, të cilat vendosin kufizime në atë që një kandidat mund të përdorë.

Për zgjedhjet presidenciale të vitit 2022, çdo kandidat kishte maksimalisht 16.8 milionë euro për rundin e parë dhe 22.5 milionë euro për rundin e dytë.

Top Channel