Ukraina dhe Moldavia pa energji elekrike si pasojë e goditjes së raketave

23/11/2022 14:42

 I gjithë qyteti perëndimor i Ukrainës, Lviv, është pa energji elektrike, pasi u raportuan sulme të gjera në të gjithë Ukrainën, përfshirë edhe kryeqytetin Kiev.

Vendi fqinj Moldavia raportoi gjithashtu ndërprerje masive të energjisë elektrike, megjithëse nuk është goditur drejtpërdrejt.

Kryetari i bashkisë së Lviv u bëri thirrje njerëzve të strehohen, ndërsa kreu i rajonit më të gjerë të Kievit tha se infrastruktura kritike dhe shtëpitë ishin goditur.

Rusia ka shtuar kohët e fundit sulmet e saj ndaj rrjeteve energjetike të Ukrainës. Pak para raporteve të reja nga Kievi dhe Lviv, zyrtarët thanë se Ukraina jugore ishte nën sulm të ri.

Guvernatori i rajonit të Mykolaiv paralajmëroi për shumë raketa që vijnë nga jugu dhe lindja.

Në rajonin e afërt të Zaporizhia, një foshnjë e porsalindur u vra kur një raketë goditi një njësi materniteti , thanë shërbimet e urgjencës.Rusia u fajësua për atë sulm, por ende nuk ka komentuar ndonjë nga sulmet e supozuara të së mërkurës.

Sulmet ruse kanë dëmtuar pothuajse gjysmën e sistemit energjetik të Ukrainës dhe miliona njerëz janë pa energji ndërsa temperaturat bien për dimër.

Ditët e fundit, kreu i firmës më të madhe private të energjisë në Ukrainë tha se njerëzit duhet të konsiderojnë largimin nga vendi për të reduktuar kërkesën në rrjetin e energjisë elektrike të vendit.

Top Channel