Rrjeti i brendshëm i ujësjellësit në Shijak del jashtë funksionit, abonentët kanë dy javë kohë për t’u lidhur me rrjetin e ri

23/11/2022 13:38

Shijaku do të ketë një rrjet të ri të furnizimit me ujë të pijshëm, që pritet të hyjë në funksion plotësisht pas dy javësh.

Ujësjellës Kanalizime Durrës njofton abonentët e qytetit që të lidhen në rrjetin e ri të furnizimit me ujë të pijshëm. UKD ka bërë gati rrjetin e ri të furnizimit me ujë dhe për këtë qëllim pranë banesave të tyre gjendet kaseta e re bashkë me matësin. Në këto vende duhet bërë lidhja me rrjetin e ri, ndërkohë që abonentët kanë afat dy  javë për të kryer kalimin në këtë rrjet.

Ujësjellës Kanalizime Durrës bën të ditur se matësat e ujit janë falas dhe qytetarët nuk do ta paguajnë tarifën e tyre. Rrjeti i ri shpërndarës i vjen në ndihmë një popullsie prej 14 mijë banorësh dhe pritet të rrisë kohën e furnizimit me ujë. Gjithashtu duke qenë se eliminohen plotësisht lidhjet e paligjshme, banorët e Shijakut do të kenë ujë me cilësi më të mirë, sipas UKSH.

Pas dy javësh, i gjithë rrjeti i brendshëm i qytetit të Shijakut që ka funksionuar deri tani, do të dalë jashtë funksionit dhe furnizimi me ujë do të bëhet vetëm nga rrjeti i ri. Qytetarët kanë afat deri në datën 7 dhjetor 2022.

Top Channel