Situatë e jashtëzakonshme në Shkodër nga shkarkimet e hidrocentraleve/ 2 viktima, mijëra hektarë tokë të përmbytura (Zhvillimet)

21/11/2022 20:00

2405 hektarë tokë dhe 590 banesa janë përmbytur në Shkodër gjatë natës së kaluar, për shkak reshjeve të dendura të shiut dhe shkarkimeve të hidrocentraleve.

Në njësinë administrative Ana e Malit, sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 1000 Ha, kryesisht në fshatrat Obot, Muriqan, Oblikë Rruga e Obotit – Niveli i ujit mbi rrugë arrin rreth 70cm. Ujësjellësi Oblika 1,si pasojë e përmbytjeve është jashtë funksionit Në njësinë administrative Dajç, sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 120 Ha, kryesisht në fshatrat Mushan, Shirq, Pentar. Rruga që lidh fshatrat Pentar- Ças ka presence uji ( nuk kalohet me mjete te ulëta). Bun ka depërtuar në Urrelat e Shirqit.

Në njësinë administrative Velipojë, sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 165 Ha., kryesisht fshatrat Baks, Luarz, Ças. Në njësinë administrative Guri i Zi, sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 500 Ha, kryesisht në fshatrat Kuç dhe Rrenc. Në njësinë administrative Bërdicë, sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 600 Ha, konkretisht në fshatrat Trush, Berdicë e Sipërme.

Janë 32 familje të evakuara, gjithsej 139 persona, kryesisht nga Njësitë Administrative, Gur i Zi, Bërdicë, Lagja Nr.4,  Lagja nr. 1. Të akomoduar në konvikt janë 2 familje ( 7 persona), ndërsa pjesa tjetër tek të afërmit . Shtëpi me prezencë uji në oborre dhe ne brendësi të banesave gjithsej 590 banesa; Guri I Zi 250 banesa; Bërdicë 210 banesa prej tyre 40 biznese; Lagja Nr.4, 30 banesa; Lagja nr. 1, 100 banesa.

20:14 Situata në Shkodër dhe Lezhë/ U evakuuan 318 banorë! Zonat më të prekura Dajç, Blinisht dhe Balldren

Situata e krijuar si pasojë e reshjeve në vend, veçanërisht në dy qarqet më problematike, Shkodër e Lezhë është përmirësuar gjatë orëve të fundit. Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në Agjencinë e Mbrojtjes Civile, uji është tërhequr nga rruga nacionale, te ura e re e Bahçallëkut dhe pranë Harkut të Bërdicës, duke lejuar qarkullimin e lirë të automjeteve. Ka prani uji në rreth 4356  ha sipërfaqe, ku tërheqja bëhet më ngadalë, por situata po monitorohet me vëmendje.

17:43 Situata në Lezhë/ Përmbytje në njësitë Dajç, Balldren dhe Blinisht! Një familje e evakuuar në Mabë

Lezha është një prej bashkive të përfshira nga përmbytjet në vendin tonë si pasojë e reshjeve të shumta të shiut. Në Njësinë Administrative Dajç dhe sipërfaqja e përmbytur është 180 hektarë. Si rezultat ka pasur përmbytje në fshatrat ,Gjadër, 40 ha të përmbytur; Zojs, 30 ha të përmbytur; Gramsh, 30 ha të përmbytur; Mabë, 40 ha të përmbytur; Dragush, 10 ha të përmbytur; Koterr, 20 ha te përmbytur; Dajç, 10 ha të përmbytur.

16:59 Situata në porte/ Vijon i pezulluar lundrimi për mjetet e vogla dhe anijet e peshkimit

Lundrimi për mjetet e vogla dhe anijet e peshkimit në portet e vendit vijon të jetë i pezulluar për shkak të motit të keq që ka përfshirë të gjithë territorin. Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme Detare, duke filluar nga mesnata era do të jetë me drejtim Jug-Jug-Perëndim. Forca e detit do të jetë 8-9bft , shpejtësia e erës 15-28m/s dhe lartësia e dallgës do të jetë nga 1.8-3.50.

16:15 Harta e sipërfaqes së përmbytur po zvogëlohet/ Raporti i Bashkisë Shkodër: Gjithsej u evakuuan 159 persona

Bashkia e Shkodrës ka publikuar një raport zyrtar në lidhje me situatën ‘apokaliptike’ të krijuar në qytet, për shkak të përmbytjeve nga reshjet e dendura të shiut. Bëhet e dije se gjithsej janë 36 familje të evakuuara, gjithsej 159 persona, në Njësitë Administrative: Guri i Zi, 19 familje, Bërdicë, 12 familje, Lagja Nr.4,  3 familje (7 persona), Lagja nr. 1,  2 familje ( 7 persona).

11:41 Situatë katastrofike në Shkodër! Tokat dhe shtëpitë nën ujë, qytetarët lëvizin me varka

Një situatë e rënduara paraqitet në Shkodër që prej ditës së djeshme, ku reshjet e shumta të shiut dhe shkarkimet e hidrocentraleve kanë përmbytur 2405 hektarë tokë dhe 590 banesa. Teksa shumë zona janë nën ujë, qytetarët kanë lëvizur me varka për të shpëtuar jetën duke u evakuuar në një vend të sigurt.

11:39 Situatë e vështirë përmbytjesh në Lezhë, banori: Kam vendosur thasë me rërë

Situata e vështirë e përmbytjeve në Lezhë ka detyruar banorët të ndjehen të pasigurt për shtëpitë e tyre. Një banor zonës tregoi se ka vendosur disa thasë me rërë për ti bërë pritë ujit dhe se ka prezencë të ujit në të gjithë oborrin e shtëpisë. Frika e tij e vetme është futja e ujit në brendësi të banesës, pasi do t’i shkaktohet një dëm i pallogaritshëm ekonomik. “Nuk kemi pasur nevojë pas nevojë për evakuim, thjesht ca thasë me rërë kam vendosur, i kam bërë pritë. Ndoshta ka ndihmuar ndopak fakti që ka rënë niveli i ujit nëpër shtëpia. Pastaj në dorë të Zotit, s’ke çfarë bën. Tek oborri kam prezencë uji, ndërsa brenda jo. Po më hyri në brenda në shtëpi ka dëm ekonomik, kjo është gjendja sot për sot. Është shumë e vështirë se po të ra brenda je i mbaruar. Polica e sheh vetë gjendjen”, tha banori.

11:21 Banorët i kalojnë në krahë fëmijët nga përmbytjet në Lezhë

Pamjet e mësipërme vijnë nga fshati Gjadër në Lezhë, aty ku dalja e lumit nga shtrati vërshoi drejt banesave dhe bllokoi rrugët. Prindërit shihen teksa marrin përsipër rrezikut dhe transportojnë në krahë fëmijët e tyre në rrugët e mbuluara nga uji.

10:57 “Shteti të vijë me fadroma, jo të sjellë njerëz”/ Qytetari i revoltuar në Gjadër të Lezhës

Lumi Gjadër në Lezhë ka dalë nga shtrati gjatë natës duke vërshuar drejt shumë banesave. Të revoltuar janë shprehur qytetarët të cilët kanë ankesa për bashkinë dhe policinë, pasi sipas tyre nuk po ndërhyhet me fadroma për të mos shkaktuar dëme të mëtejshme. “Shteti nuk duhet të vijë vetëm për të na parë, të sjellin fadromat, nuk duhen njerëz. Është e katërta herë që më futet uji brenda në shtëpi. Shteti ta menaxhojë, ku është fadroma? “- shprehet qytetari i revoltuar.

10:56: Bulqizë/ Reshje të dendura shiu gjatë natës, përmbytet rruga e Arbrit

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në rrugën e Arbërit. Reshjet e shiut të shoqëruara me erëra të forta, të cilat kanë vijuar natës gjithë natës dhe ditës së sotme, kanë sjellë  përmbytje në disa segmende të akseve rrugore nacionale e ruale. Me problematikë për momentin ngelet aksi nacional Qafe e Buallit- Shupenzë, segment ky i rrugës së Arbërit i ndërtuar para 10 vitesh. Njëkohësisht problematike është edhe situata në unazën e lagjes së vjetër-lagjes së re, ku rrugët janë nën pushtetin e ujit.

10:15 Durrës/ Del nga shtrati lumi i Gjoles, përmbyten sipërfaqe të tëra tokë bujqësore

Gjatë natës së kaluar, lumi i Gjoles ka dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje të sipërfaqeve të tëra toke bujqësore në Bubq të Krujës. Situata paraqitet më problematike në fshatin Murqinë dhe Mallkuç ku  niveli i ujit në arat e mbjella arrin deri në 45-50 cm. Të rrethuara nga uji janë dhe disa banesa. Vetëm në fshatin Murqinë të njësisë administrative Bubq ka rreth 150 hektarë të përmbytur nga lumi i Gjoles.

10:13 Del nga shtrati lumi Gjadër në Lezhë, uji vërshon drejt banesave dhe bllokohen 15 familje

Një situatë problematike paraqitet në Lezhë për shkak të reshjeve të dendura të shiut që ranë gjatë natës së kaluar. Lumi Gjadër ka dalë nga shtrati duke vërshuar mbi zonat e banuara dhe duke përmbytur qindra hektarë tokë. Sikurse duket edhe në pamje, uji ka shkuar pranë banesave, duke bllokuar rreth 15 familje. Si pasojë e vërshimit të ujit është bllokuar edhe rruga Gjadër- Zojz.

10:02 Bora zbardh Vermoshin dhe Thethin. Moti i keq ndërpret qarkullimin në aksin Shkodër-Lezhë 

Kanë vijuar me intensitet të lartë reshjet e shiut në të gjithë vendin gjatë natës së kaluar, ndërsa dëbora ka zbardhur disa zona në veri të vendit. Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se në aksin Tamarë-Vermosh dhe Qafë Thore-Theth ka pasur reshje dëbore, po punohet për pastrimin. Po ashtu, për shkak të motit të keq është bllokuar  aksi Shkodër-Lezhë në pikën Harku i Bedicës, ku devijimi i makinave bëhet në rrugën e Gurit të Zi dhe në Dedaj-Bogë vazhdon devijimi për në rrugën alternative.

09:43 Reshje të vazhdueshme shiu që nga dita e djeshme, situatë pa probleme në Elbasan

Reshjet e shiut në qarkun e Elbasanit kanë vijuar që prej ditës së djeshme, ndërsa deri më tani nuk janë raportuar problematika.Sipas institucioneve vendore atje, ditën e djeshme kanë rënë 30 mm shi dhe në orët e para të mengjesit të sotëm ka pasur 13 mm shi. Akset rrugore nacionale e rurale janë të gjitha të hapura. Ka pasur prani inertesh në sasi të vogël në aksin rrugor Elbasan-Gjinar dhe Gramsh-Moglicë të cilat janë pastruar nga firmat kontraktuese. Në një nivel jo shumë të lartë janë prurjet në përrenjtë e qarkut dhe lumin Shkumbin e Devoll. Furnizimi me energji elektrike është i plotë me përjashtim të 2 fidrave në bashkinë Belsh, 1 fidri në njësinë administrative Tregan të bashkisë Elbasan dhe 1 fidër në Klos të bashkisë së Cërrikut. Strukturat e emergjencave civile të bashkive janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës.

09:08 Reshjet/ I pakalueshëm Harku i Bërdicës, si paraqitet situata nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës

Reshjet e dendura të shiut që vijuan përgjatë natës kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në qarkun e Shkodrës. Kështu është ndërprerë qarkullimi në aksin Shkodër-Tiranë te Harku i Berdicës, probleme janë hasur edhe në furnizimin me energji elektrike, ndërsa mësimi është ndërprerë në disa njësi administrative.

09:07 Banesa dhe qindra hektarë tokë nën ujë/ Situata e përmbytjeve në zonat e Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës

Banesat dhe tokat në disa zona të Lezhës janë përmbytur nga shirat e dendur që përfshinë vendin tonë ditën e djeshme. Ditën e sotme ka sipërfaqe të mëdha të mbuluar me ujë si në  Mabë, Piraj, Gjadër, Torovicë. Sipas të dhënave nga strukturat e MC të bashkive Lezhë, Kurbin dhe Mirditë  sasia e reshjeve të rëna  për 2 ditët e fundit ka qenë 212 mm. Vetëm për 24 orët e fundit nga dje në mëngjes  deri tani ka rënë 82 mm shi, ndërsa Lumi Gjadër dhe Drin janë mbushur. Tërheqja në këta lumenj po bëhet shumë ngadalë, por nuk kanë dalë nga shtrati. Kuota rritjes së nivelit në lumin Drin është +1m nga +2 që është kuota kritike. Lumi Mat ka rritur prurjet, por deri më tani nuk ka pasur probleme. Sipërfaqe të përmbytura kemi në njësinë administrative Dajç dhe Blinisht rreth 700 hektarë, ndërsa në njësinë administrative Balldre rreth 500 ha. Në fshatin Gajdër të njësisë administrative Dajç të Bashkisë Lezhë, ka 15 banesa në ujë dhe ura e Zojsit është e pakalueshme. Në fshatin Zojs janë pesë banesa në ujë. Në njësinë administrative Balldre, fshati Kakarriq janë tre banesa në ujë, ndërsa në Bashkitë Mirditë dhe Kurbin nuk raportohen problematika.

08:48 Shkodër/ Rrjedha e ujit i mori përpara, gjenden trupat e pajetë të babë e bir

Trupat e pajetë të babë e bir, të cilët u rrëmbyen ditën e djeshme nga rrjedha e ujit  në në Bogë të Shkodrës, janë gjetur pas disa orë kërkimesh. Ditën e djeshme përroi i “Prekë-Nicajve” në Bzhetë të Bogës ka marrë përpara fuoristradën me të cilën udhëtonin babë e bir. Në makinë ka qenë dhe vajza, por ka arritur të shpëtojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA