Situata në Shkodër dhe Lezhë/ U evakuuan 318 banorë! Zonat më të prekura Dajç, Blinisht dhe Balldren

21/11/2022 20:14

Situata e krijuar si pasojë e reshjeve në vend, veçanërisht në dy qarqet më problematike, Shkodër e Lezhë është përmirësuar gjatë orëve të fundit.

Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në Agjencinë e Mbrojtjes Civile, uji është tërhequr nga rruga nacionale, te ura e re e Bahçallëkut dhe pranë Harkut të Bërdicës, duke lejuar qarkullimin e lirë të automjeteve.

Ka prani uji në rreth 4356  ha sipërfaqe, ku tërheqja bëhet më ngadalë, por situata po monitorohet me vëmendje.

Forcat e Armatosura dhe të emergjencave civile kanë ndihmuar në evakuimin e rreth 318 banorëve në qarkun e Shkodrës, të cilat janë strehuar në konvikte apo pranë të afërmve të tyre. Po ashtu janë evakuuar edhe 57 krerë bagëti.

Përmirësim të konsiderueshëm ka edhe situata në Lezhë, por orët në vijim mbeten sërish kritike, bazuar në parashikimet e motit për shtim të reshjeve të shiut.

Në Bashkinë Lezhë zonat më të prekura janë njësitë Dajç, Blinisht, Balldren, ku po punohet për largimin e ujit nga 24 banesa.

Në monitorim është edhe situata sa i përket nivelit të lumenjve, veçanërisht lumit Drin, Gjadër dhe Erzen.

E normalizuar paraqitet situata në Durrës, Kukës, Dibër.

Sipas njoftimit, Forcat e Armatosura janë në gatishmëri të plotë për çdo nevojë të banorëve të këtyre zonave dhe do të qëndrojnë në terren edhe gjatë orëve të natës.

Top Channel