“Koha e llogarisë”, Turqia sulme ajrore ndaj kurdëve në Irak dhe Siri, ende nuk dihet numri i viktimave

20/11/2022 11:38

Turqia ka nisur sulme ajrore ndaj objektivave kurdë në Irak dhe Siri, një javë pas një bombardimi në Stamboll për të cilin fajëson militantët kurdë.

Bastisjet, të quajtura Operacioni Claw-Sword, goditën bazat kurde që po përdoreshin për të nisur sulmet ndaj Turqisë, tha ministria e mbrojtjes.

Forcat e udhëhequra nga kurdët në Siri thanë se qyteti i Kobane u godit si dhe dy fshatra me popullsi të dendur. Raporte të pakonfirmuara thonë se ka një numër viktimash.

Me fillimin e sulmeve ajrore, ministria turke e mbrojtjes shkroi në Twitter se “koha e llogarisë” kishte mbërritur, së bashku me një foto të një avioni luftarak që ngrihej dhe pamjet e një shpërthimi.

“Strehërat, bunkerët, shpellat, tunelet dhe magazinat e terroristëve u shkatërruan me sukses”, tha ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar.

Bastisjet vijnë një javë pas një sulmi me bombë në një nga rrugët më të frekuentuara të Stambollit, i cili vrau gjashtë persona dhe plagosi më shumë se 80. Autoritetet turke fajësuan për shpërthimin grupin militant kurd PKK, të cilin Turqia, BE dhe SHBA e konsiderojnë si një organizatë terroriste. Autoritetet kanë arrestuar dhjetëra njerëz në lidhje me sulmin, duke përfshirë një grua siriane që ata thonë se vendosi bombën.

Grupi i ndaluar kurd PKK mohon kryerjen e sulmit në Stamboll.

Top Channel