Trump do hetohet nga prokurori i Hagës: Smith hetoi dhe krimet në Kosovë!

19/11/2022 14:45

Jack Smith nuk do të njihet më aq shumë si prokuror në Gjykatën speciale të Hagë, ku ishte ngarkuar me gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë, sesa për detyrën e re që po i besohet: Të udhëheqë hetimet ndaj ish presidentit amerikan Donald Trump për dy cështje- dokumentet sekrete të konfiskuara në shtëpinë private të Donald Trump Mar-a-Lago dhe sulmin në Kapitol në 6 janar 2021.

Emrin e Smith e përzgjodhi Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Merrick Garland. Emërimi i një prokurori të Hagës për të ndjekur cështjen e Trumpit vjen vetëm tre ditë pasi ish shefi i Shtëpisë së Bardhë njoftoi synimin e tij për të garuar sërish si kandidat republikan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 dhe një ditë pasi republikanët që morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongres, deklaruan se do ta kthejnë në prioritet të tyre hetimin e familjes Biden, dhe aferave të djalit të presidentit, Hunter.

Në prononcimin e tij të parë pas këtij zhvillimi, Smith deklaroi  se ai do t’i kryente hetimet me shpejtësi, në mënyrë të pavarur dhe me themel. Garland e justifikoi veprimin e tij duke thënë se në “në dritën e zhvillimeve të fundit, duke përfshirë njoftimin e Presidentit të mëparshëm se ai është një kandidat presidencial në zgjedhjet e ardhshme, dhe synimin e Presidentit aktual (Joe Biden) për të qenë gjithashtu një kandidat, unë kam arritur në përfundimin se ka interes publik që të caktohet një hetues  i posaçëm”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë njoftoi se vendit e Smithit tashmë do të zërë Alex Whiting, që do të ushtrojë këtë funksion deri në emërimin e një Prokurori të Specializuar të ri.

Top Channel