“Digjen” policët e drogës. Në Kutalli u ndërtua një punishte hashashi, po hetohet gjithë zinxhiri komandues i policisë

19/11/2022 12:06

Gjithë zinxhiri komandues i policisë së Beratit dhe policët e zonës që duhet të kontrollonin territorin e fshatit Drenovicë të Beratit, ku u zbulua një fermë e mirëfilltë e kanabisit kanë marrë ecuri disiplinor nga drejtoria e standarteve profesionale në Policinë e shtetit.

Kjo masë ka ardhur pasi në fshat prej gati një muaji ishte ngritur një punishte hashashi pa rënë në sy të askujt dhe policia është e pazonja të kthejë përgjigje se ku ishte kultivuar droga që përpunohej në sera dhe ku u transportua droga e përpunuar.

Deri më tani hetimi është në duart e prokurorisë së Beratit e cila po heton veprimtarinë e 11 personave të arrestuar si organizatorë të kësaj veprimtarie kriminale dhe po verifikon rolin edhe të 95 punonjëseve gra të cilat përpunonin hashashin.

Prokuroria po verifikon nëse kjo kompani e mirëfilltë hashashi ka marrë garanci nga struktura të veçanta në policinë vendore. Hetimi po asistohet edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes policore e cila e kontaktuar nga Top Channel, tha se vetëm po monitoron veprimet e Prokurorisë dhe nuk ka çelur asnjë hetim për asnjë punonjës policie.

Top Channel