Një nismë e veçantë e gazetarit Marin Mema që synon të dëshmojë historinë dhe trashëgiminë e lashtë të shqiptarëve ka marrë udhë. Ajo lidhet me vendosjen e një shtatore të mbretëreshës Teuta në qytetin e Durrësit.

Projekti që gazetari e nisi disa muaj më parë duke mbledhur edhe një fond prej 32 mijë eurosh synon realizimin e një shtatoreje në bronz tre metra të lartë. Kjo sipas Marin Memës synon t’i tregojë turistëve, vizitorëve e kalimtarëve të shumtë që shqiptarët kanë jo vetëm një trashëgimi të lashtë, por edhe një kulturë të thellë që dëshmohet nga vendosja në krye e një mbretëreshe grua, si Teuta. Ajo ka mbretëruar tek Ilirët në kohë kur në civilizime të tjera një grua kishte të drejta fare minimale tha gazetari. Teuta edhe pse lidhet fort me qytetin e Shkodrës tha ai, i bën nder çdo qyteti në Shqipëri dhe Durrësi e meriton një vepër të tillë.

Me këtë rast për përzgjedhjen e skulptorit që do të realizojë shtatoret është realizuar me nismën e gazetarit edhe një konkurs i mbajtur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Jurisë së përbërë nga Mumtas Dhrami e Thoma Thomai, dy ndër skulptorët më të njohur në vend, Artan Peqini, Dekan i Fakultetit të Arteve të Bukura, Skënder Muçaj arkeolog, me 55 vjet eksperiencë në Institutin e Arkeologjisë dhe vetë gazetarit Marin Mema, u është dashur të përzgjedhin mes 22 kandidatëve.

Në përfundim me vetëm një votë më shumë konkursi është fituar nga skulptori Julian Muçollari.

Pas vendosjes së bustit të ri të Pashko Vasës në Shkodër dhe ngritjes së një qendre të vërtetë historike në vendbetejën e famshme të çetës së Çerçiz Topullit, Mihal Gramenos e të tjerëve ne Mashkullorë, ky është një tjetër projekt që gazetari Mema i është përkushtuar plotësisht.

Top Channel