Hyn sërish ‘në lojë’ Erdogan, diskuton me Zelenskyn dhe Putinin për zgjatjen e marrëveshjes së grurit

18/11/2022 21:25

Presidenti turk i tha Zelenskyt se zgjatja e marrëveshjes për korridorin e grurit dhe shkëmbimi i të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës ishin përvoja pozitive dhe se nga “zgjerimi i këtij mirëkuptimi në tryezën e negociatave” do të përfitonin të gjitha palët.

Po ditën e premte, Erdogan zhvilloi bisedë telefonike edhe me presidentin rus Vladimir Putin. Sipas një njoftimi të drejtorisë së komunikimeve të presidencës turke, në bisedë u diskutuan çështjet rajonale, veçanërisht marrëdhëniet Turqi-Rusi dhe zhvillimet rreth korridorit të drithit.

Bëhet me dije se gjatë bisedës, Erdogan ka falënderuar presidentin rus Putin për qëndrimin e tij konstruktiv në lidhje me zgjatjen 120-ditore të marrëveshjes për eksportet e drithërave.

Presidenti Erdogan gjithashtu ka falënderuar homologun rus për ngushëllimet e tij për sulmin terrorist të së dielës në Stamboll.

Marrëveshja e drithit u ndërmjetësua në korrik nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia për të lejuar Ukrainën të rifillojë eksportin e grurit dhe produkteve të tjera bujqësore pasi Rusia filloi një sulm në shkallë të plotë ndaj vendit në shkurt. Ajo duhej të skadonte më 19 nëntor.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se marrëveshja për zgjatjen ishte arritur pasi Turqia priti diskutimet midis OKB-së, Rusisë dhe Ukrainës.

Erdogan tha se më shumë se 11 milionë ton drithë dhe produkte të tjera ishin dërguar nga portet ukrainase deri më tani sipas marrëveshjes.

Top Channel