Çështja e nxehtë e Portit të Durrësit ka ndezur debatin në studion e “Top Story” këtë të enjte në mbrëmje.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Bardhi Sejdarasi, porti i Durrësit do të mbetet aty ku është, ndërsa thotë se investimi bëhet nga Autoriteti Portual i Durrësit.

“Në dijeninë time, në portin e Durrësi ka vetëm një investim që lidhet me Autoritetin Portual të Durrësit që është shtrirë në kohë. Ka të paktën 20 vite që bëhet për shkak të kalatave dhe përmirësimeve të ndryshme që janë bërë dhe pjesa tjetër është investim privat. Ata që ishin në Urën e Dajlanit kanë ikur në Porto Romano.

Mbi bazën e tërë planeve që nga viti 2019 deri në vitin 2022, është kërkuar e njëjta kompani, kompania holandeze. Ka bërë projektin e Portit të Durrësit, e Porto Romanos, e portit të thatë të Prishtinës, po bën dhe projektin e portit të thatë të Strugës. Është i njëjti autoritet. Është i njëjti plan që është nisur nga Durrësi dhe vazhdon me Durrësin. Porti mbetet aty ku është”.

Megjithatë, sipas projektit, porti i mallrave do të zhvendoset në Porto Romano. E vetmja gjë konkeret aktualisht është zyra e shitjeve në Portin e Durrësit.

Sipas ish-zëvendës ministrit Financave, Elton Haxhi, burimi kryesor i këtij financimi është shitja:

“Arsyeja se përse është hapur zyra e shitjes është sepse burimi kryesor i këtij financimi është shitja, nuk janë paratë e investitorëve. Është toka që ka vënë në dispozicion investitori, qeveria shqiptare. Investitori do të sjellë kapitalin 3.4% të vlerës së projektit dhe 90% do të vijë nga shitja e apartamenteve, pra si çdo biznes tjetër”.

Gazetarja e ekonomisë, Ola Xama, kjo marrëveshje nuk është në favor të shtetit shqiptar.

“Ajo që përfiton më shumë është firma private. Kompania private nuk është në nivelin që është thënë, në statusin e investitorit strategjik. Prej vitit 2015, Shqipëria ka një ligj për investimet strategjike dhe që atëherë janë dhënë rreth 30 statuse të investitorit strategjik në fushën e turizmit. Asnjë nga këta investitorë kalim pronësie për një euro, ka marrë për 99 vite por jo pronësi të përjetshme”.

Ndërsa deputeti demokrat Agron Shehaj ngre pyetjen se ku është kompania “EMAR”, të cilën kryeminstri Edi Rama e ka reklamuar aq shumë kur ka thënë se kjo kompani do të përsipër projektin e portit të Durrësit:

“Lindin disa dyshime kur marrim vesh që kompania që regjistrohet në Shqipëri, “Eagle Hills”, kompani që më herët quhej ndryshe dhe më pas vjen marrëveshja në parlament… dhe marrim vesh që EMAR nuk ka asnjë lidhje me këtë projekt. Qeveria shqiptare po mbyll një marrëveshje miliarda euro me një kompani që është krijuar në më pak se një vit. Një kompani që nuk ka as historik, as të punësuar, nuk ka asgjë praktikisht. Cili është kapitali, se kjo kompani ka deklaruar një fond prej 100 mijë lekësh të vjetra (minimumi që kërkon ligji shqiptar)”.

Mungesë transparence për Portin e Durrësit

Janë gjithsej 818 318.98 m2 ose 81.8 hektarë tokë që do të përdoren për të ndërtuar kompleksin e hoteleve banesave dhe kalatat e portit të jahteve. Ndërkohë bashkë me këtë vendim është zgjeruar edhe sipërfaqja totale e ndërtimeve që shkon në 61 450 metra katrorë rreth 7 mijë metra më shumë se sa ishte në vendimin e parë të miratimit të këtij projekti edhe nga entet si Këshilli Kombëtar i Territorit.

Në fillim të vitit të kaluar kësaj kompanie iu falën 209 prona me një sipërfaqe prej 80.9 hektarë tokë. Ato u tha se do të përdoreshin për investimin 2 miliardë dollarësh për projektin e Durrës Yacht & Marina.

Ndërkohë që është ndryshuar edhe emri i kompanisë investitore nga “Symphony Real Estate Development” sh.p.k. që ishte më herët, e cila ka kaluar tek “Eagle Hills Real Estate Development” sh.p.k sipas një transaksioni të regjistruar kohë më parë në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Projekti i Marinës së Durrësit është klasifikuar si investim strategjik duke përfituar pronën për të kryer investimin përmes një marrëveshjeje me qeverinë por mbetet ende e paqartë se cili do të jetë fitimi real i shtetit në këtë marrëdhënie.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA