Nafta, bordi u fal kompanive 9 lekë/ Uli çmimin e naftës me 2 lekë! Në Maqedoni çmimi u ul me 11 lekë

17/11/2022 15:18

Top Channel po priste çdo ditë për të marrë pjesë në një mbledhje bordi, pas thirrjes se ministres Ibrahimaj.

Ne u interesuam për të marrë formulën e përllogaritjes së çmimit të bordit, por morëm vesh që bordi mblidhet natën, jashtë orarit zyrtar, duke e bërë akoma më jo transparente vendimet që ata marrin.

Ndërsa Maqedonia ka bërë dy mbledhje Bordi në ditët e fundit duke e ulur çmimin me 11 lekë, në Shqipëri çmimi i naftës u ul me vetëm 2 lekë në datën 16 Nëntor.

Duke bërë një ballafaqim të arsyetimit të dyja Bordeve, Maqedonia argumenton se në 14 Nëntor nafta pësoi ulje me 34,25 dollarë/ton, ndërsa me 16 nafta u ul me 30,45 dollarë/ton, gati 6% ulje në harkun kohor të dy ditëve.

Ndërkohë, Shqipëria me vendimin e fundit shprehet se në tregjet botërore nafta ka pësuar një ulje me vetëm 5 dollarë/ton. Kjo ngre dyshimin e parë, pasi Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të dyja llogaritësin me bursën mesdhetare siç arsyeton edhe Bordi.

Ndërkohë një tjetër faktor i rëndësishëm në përbërjen e çmimit të naftës është kursi i dollarit. Denari maqedonas dhe leku shqiptar kanë pothuajse të njëjtin mbivlerësim mbi dollarin, respektivisht me 8 dhe 7 pikë.

Pra, denari maqedonas është forcuar me vetëm 1 pikë më shumë, që nuk justifikon ndryshimet e mëdha të çmimeve në përbërjet e naftës.

Prej katër ditësh Bordi Shqiptar jo vetëm që nuk po ul marzhet e fitimit të kompanive të naftës, por nuk po reflekton as në mënyrën e duhur uljen e çmimit si vendi ynë fqinj. Përveç kësaj me taksat që qeveria vendos për një litër naftë, Shqipëria vijon ta blejë këtë produkt më lart se gjithë rajoni.

Përveç kësaj edhe çmimi i energjisë elektrike është më i larti në të gjithë rajonin, duke i bërë qytetarët shqiptarë të paguajnë dyfish më shuam se bashkëqytetasit e tyre në vendet fqinje.

Top Channel