49-vjetori i shtypjes me tank të studentëve gjatë protestave në Greqi/ Tubim në rrugët e kryeqytetit helen

17/11/2022 09:57

Greqia kujton sot 49 vjetorin e shtypjes me tank të studentëve gjatë protestave të 17 nëntorit të 1973.

Qindra banorë të Athinës vunë lule në monumentin e vendosur në oborrin e Politeknikumit të Athinës, ndërsa gjatë orëve në vazhdim mijëra grekë do të protestojnë në rrugët e kryeqytetit helen, për të përfunduar jashtë ambasadës amerikane në Athinë.

Policia ka vënë në alarm mbi 3500 forca, ndërsa do të ketë patrullime nga ajri me helikopterë dhe dronë.

Të frikësuara nga përshkallëzimi i protestave në akte dhune, sikundër ndodh çdo vit në alarm janë vënë edhe forcat zjarrfikëse si dhe spitalet kryesorë  të kryeqytetit.

Me urdhër të policisë gjatë orëve të pasdites do të mbyllen stacionet e metrosë në aksin që do të ndjekin protestuesit, ndërsa autoritetet kanë kërkuar prej banorëve të kryeqytetit që nuk kanë një arsye serioze, të shmangin qendrën e Athinës.

Protesta të ngjashme do të zhvillohen edhe në Selanik, Kretë, Patër, Janinë dhe Larisa.

Top Channel